zoom

Lajme

“Revolucioni Flamingo”: Protestuesit nisin lëvizjen për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, dorëzojnë dokumentin në KQZ

“Revolucioni Flamingo”: Protestuesit nisin lëvizjen për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, dorëzojnë dokumentin në KQZ

Pasi kanë mbushur rrugët e Tiranës për të protestuar kundër arrogancës së qeverisë, korrupsionit, mungesës sëshërbimeve, rritjes së çmimeve dhe skandaleve me pronat në zonat e mbrojtura, protestuesit e “Revolucionit Flamingo” kanë vendosur të ndryshojnë strategji. Ata po kalojnë nga tubimet në terren, drejt një beteje të mirëfilltë institucionale që synon të godasë burimin e pushtetit, që është sistemi zgjedhor. 

Zoom.al po publikon dokumentin zyrtar të protokolluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili mban vulën e datës 3 qershor 2026 (Nr. 1426 Prot.). Një grup prej 10 nismëtarësh, nën logon “Veprimi Qytetar për Demokraci Funksionale”, i janë drejtuar zyrtarisht institucionit me kërkesën për t’u pajisur me fletët tip. Synimi i tyre është një nismë ligjvënëse nga vetë zgjedhësit për të ndryshuar nga rrënjët Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Në listën e dorëzuar në KQZ bien në sy emra mjaft të njohur të jetës publike, ekspertë, gazetarë dhe aktivistë të cilët kanë mbajtur peshën kryesore të reagimit qytetar gjatë javëve të fundit.

  • Kristaq Kume: Ish-kryetari i KQZ-së dhe një nga ekspertët më të vlerësuar zgjedhorë në vend, i cili udhëheq këtë nismë në aspektin teknik dhe kushtetues.
  • Andi Tepelena dhe Edlira Çepani: Aktivistë të njohur të shoqërisë civile, të pranishëm në çdo rresht të parë të protestave për të drejtat qytetare dhe mbrojtjen e pasurisë publike.
  • Rigels Xhemollari: Drejtues i “Qëndresës Qytetare” (Civic Center), një nga zërat më jetëgjatë dhe më të fortë kundër korrupsionit në administratë dhe sistemin arsimor.
  • Rezearta Çaushaj: Gazetare dhe aktiviste mjedisore, e cila ka denoncuar me zë të lartë dhe ka zbardhur prapaskenat e projekteve mbi zonat e mbrojtura në Zvërnec dhe Sazan.

Në listë rreshtohen gjithashtu edhe emrat e Edmond Çatës, Etleva Merkos, Gerta Metës, Ilir Alisë dhe Silvana Bellos, të gjithë të angazhuar në këtë lëvizje qytetare.

Hapi i ndërmarrë nga protestuesit është një proces me rregulla të rrepta ligjore. Sipas ligjit nr. 54/2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve”, sapo KQZ-ja t’i pajisë nismëtarët me fletët tip, ata kanë 3 muaj kohë për të zbritur në terren dhe për të mbledhur firmat e nevojshme të qytetarëve në të gjithë vendin.

Ky hap tregon se pas indinjatës për Zvërnecin, rrënimin e shëndetësisë e arsimit, korrupsionin dhe çmimet jashtë kontrollit, lëvizja qytetare ka kuptuar se rrënja e problemit qëndron te mënyra se si funksionon parlamenti dhe si fitohen votat përmes Kodit aktual Zgjedhor.

Dorëzimi i këtij dokumenti vjen në një moment kur kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të sulmojë dhe të ironizojë protestuesit, duke i quajtur “blogerë që nuk paguajnë taksa” apo “urrejtës të Trump-it”. Mirëpo, ky hap tregon se lëvizja nuk po udhëhiqet nga thjesht nga blogerët, por nga qytetarë që po kërkojnë të kthejnë sovranitetin te populli.

Projektligji i ri, i cili shoqërohet me një relacion të plotë shpjegues, pritet të kërkojë thyerjen e monopolit të kryetarëve të partive të mëdha, hapjen e plotë të listave dhe rregulla të reja që garantojnë votën e lirë. /Zoom.al 

Postime të lidhura