Aplikacion
Kisha Katolike e Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestat kundër resortit në Zvërnec, duke i bërë thirrje politikës që të dëgjojë pakënaqësitë e qytetarëve dhe të gjejë zgjidhje përmes dialogut.
Në një deklaratë për shtyp, Kisha Katolike tha se ndjek me vëmendje protestat në vend dhe shqetësimet e qytetarëve për projektet në zona të mbrojtura, duke theksuar nevojën që çdo zhvillim të respektojë mjedisin dhe pronën private, në përputhje me parimet e transparencës dhe dialogut të theksuara edhe në “Laudato si’”.
Kisha nënvizon rëndësinë e përfshirjes së komuniteteve lokale për një zhvillim të qëndrueshëm me në qendër njeriun, duke theksuar se pjesëmarrja e qytetarëve tregon një pakënaqësi që duhet dëgjuar nga institucionet.
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë po ndjek me kujdes zhvillimet shoqërore në vendin tonë, veçanërisht protestat që po zhvillohen në qytetin e Tiranës, në qytete të tjera të Shqipërisë e në diasporë. Shkak për këto protesta kanë qenë disa projekte që prekin zona natyrore të mbrojtura apo ku ndërthuren probleme të pronësisë, për të ndërtuar në to objekte që synojnë zhvillimin e një turizmi elitar.
Nga ana jonë si Ipeshkvij të Kishës katolike, vlerësojmë se çdo zhvillim i vendit duhet të ketë parasysh mbrojtjen e ambientit, por edhe respektimin e pronës së gjithkujt. Papa Françesku, në Letrën e tij Enciklike Laudato si’, thotë: «Parashikimi i impaktit ambiental të sipërmarrjeve dhe të projekteve kërkon procese politike transparente dhe që i nënshtrohen dialogut, ndërsa korrupsioni, që fsheh impaktin e vërtetë ambiental të një projekti, në këmbim të favoreve, shpesh çon drejt marrëveshjeve të paqarta që i ikin detyrimit për të informuar dhe një debati të thelluar» (LS 182).
Në këtë kuptim vlerësimi, konsultimi dhe përfshirja e komuniteteve lokale që jetojnë aty dhe i agjencive që merren me mbrojtjen e ambientit është më se i domosdoshëm. Për ne, kjo gjë quhet zhvillim integral që duhet të marrë parasysh të gjitha dimensionet e jetës njerëzore si ato individuale ashtu edhe ato komunitare. Sikurse thoshte Shën Pali VI, ky zhvillim duhet të përfshijë të gjithë njerëzit dhe krejt njeriun (Populorum progressio, 42). Kjo është pjesë e Doktrinës shoqërore të Kishës dhe ne ftojmë që çdo projekt zhvillimi të bëhet duke marrë parasysh, jo vetëm krijimin e strukturave si qëllim në vetvete, por të ketë në qendër njeriun me nevojat dhe të drejtat e tij private dhe komunitare.
Protestat e këtyre ditëve dhe pjesëmarrja e shumë të rinjve dhe familjeve në to kanë nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi ndaj sistemit politik aktual. Kjo pakënaqësi është vërejtur në pjesëmarrjen dhe në artikulimin e shumë protestuesve. Kisha nuk ka për detyrë të gjejë zgjidhje, por të orientojë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet. I takon politikës të gjejë zgjidhje brenda kuadrit politik dhe demokratik. Këto janë rregullat e demokracisë evropiane ku ne aspirojmë të shkojmë. Nuk mund të injorohet zëri i shumë njerëzve që kanë të vetmen agjendë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të shoqërisë e që shprehin pakënaqësinë për veprimin apo mosveprimin e politikës. Zëri i të gjithëve duhet të dëgjohet dhe të vlerësohet me kujdes e respekt nga ana e politikës, e qeverisë dhe e opozitës.
Ne ftojmë përfaqësuesit e politikës, që të zgjedhin tryezën e dialogut, të japin përgjigjet e duhura ndaj qytetarëve të thjeshtë të popullit tonë që kërkojnë të mos anashkalohen, të dëgjojnë zërin e të rinjve që kanë të drejtën të ndërtojnë jetën e tyre këtu, pa iu nënshtruar fatalisht humbjes së shpresës dhe rrugës së emigrimit, plagë e cila në vitet e fundit ka emrin shpopullim i vendit.
Ne i lutemi Hyjit për popullin tonë, për politikën dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë të këtij vendi, që të gjejnë, bashkë me rrugën e dialogut politik dhe shoqëror, edhe zgjidhjet e duhura brenda kornizave politike dhe demokratike të një vendi që ka si synim integrimin evropian.