Aplikacion
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë nxjerrë në dritë mënyrën se si operonte një nga rrjetet më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës, i drejtuar sipas autoriteteve nga Salvador alias Shpëtim Aliu. Organizata kriminale dyshohet se ka transportuar dhjetëra tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës, duke krijuar fitime marramendëse dhe një perandori pasurish të paluajtshme.
Sipas dosjes hetimore, grupi ka vepruar kryesisht gjatë viteve 2019-2021 në disa shtete të Amerikës Latine, Belgjikë dhe Holandë. Provat e mbledhura nga SPAK dokumentojnë pesë episode kryesore të trafikut të drogës, ku janë sekuestruar afro 9 tonë kokainë.
Rasti i parë daton në maj të vitit 2020, kur autoritetet belge zbuluan 700 kilogramë kokainë të fshehur në një kontejner me pjesë këmbimi automjetesh në portin e Antwerp-it.
Vetëm pak javë më vonë, në qershor 2020, u godit një tjetër tentativë trafiku në Ekuador. Në këtë rast u sekuestruan mbi dy tonë kokainë që kishte si destinacion Holandën. Sipas hetimeve, pakot e drogës mbanin shenja identifikuese me logot “Jaguar”, “Shqiponjë” dhe “BB”, të përdorura për të dalluar ngarkesat dhe grupet që i administronin ato.
Një tjetër sasi prej 1.1 ton kokainë u bllokua në portin e Roterdamit në gusht të vitit 2020, pasi kishte mbërritur nga Guayaquil i Ekuadorit. Ndërsa goditja më e madhe u regjistrua në dhjetor të po atij viti, kur autoritetet holandeze sekuestruan 4.1 ton kokainë, një nga sasitë më të mëdha të kapura në atë periudhë.
Episodi i pestë u shënua në shkurt 2021, kur në Kolumbi u ndalua një tjetër ngarkesë prej më shumë se një toni kokainë, e destinuar për tregun francez.
Sipas SPAK, këto janë vetëm disa nga rastet e dokumentuara, ndërsa organizata dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Fitimet e krijuara nga ky aktivitet kriminal më pas investoheshin në sektorë të ndryshëm ekonomikë, duke shërbyer edhe për pastrimin e parave.
Operacioni i fundit i autoriteteve shqiptare çoi në lëshimin e 10 masave të sigurisë dhe sekuestrimin e 491 pasurive, me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro. Në fokus të hetimeve janë edhe figura të njohura të botës së krimit, përfshirë Dritan Gjikën dhe Eldi Dizdarin, të cilët dyshohet se kanë luajtur rol kyç në aktivitetin e organizatës./ Zoom.al
68 vite pritje për këtë ditë, rrëzohet rekordi historik që ka “çmendur” tifozët e Brazilit