Aplikacion
Edmond Sula, i cili humbi jetën në atentatin e ndodhur në Bërxull të Vorës, rezulton të ketë pasur më herët probleme me drejtësinë, pasi emri i tij ishte përfshirë në hetimet për vrasjen e Indrit Çelajt.
Viktima, i cili u qëllua me snajper, kishte lidhje të afërta shoqërore me vëllezërit Albano dhe Bujar Kusi, në ambientet e biznesit të të cilëve ndodhi ekzekutimi i teknikut të kondicionerëve më 22 gusht 2019, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.
Pas ngjarjes, Edmond Sula u vu në pranga si i dyshuar për “Vrasje me dashje në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”. Prokuroria dyshonte se ai kishte ndihmuar Albano Kusin të largohej dhe t’i shmangej hetimeve. Megjithatë, pavarësisht akuzave të ngritura ndaj tij, u lirua më vonë nga burgu.
Në të njëjtin operacion policor u arrestuan edhe Ferdinand Bakalli dhe Luan Çakaj, të akuzuar për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. Më pas, hetimet çuan në arrestimin edhe të Griseldo Kusit, Lorenc Veliajt dhe Bujar Kusit.
Ndërkohë, Albano Kusi vazhdon të jetë në kërkim, megjithëse ndaj tij ka një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Tiranës.
Vrasja e Indrit Çelajt ishte një nga ngjarjet më të bujshme kriminale të verës së vitit 2019. Sipas dosjes hetimore, 26-vjeçari kishte shkuar në biznesin e Bujar Kusit për të montuar një sistem kondicionimi. Një debat i çastit për rrjedhjen e ujit nga tubacioni i pajisjes u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas vendimeve gjyqësore, ishte Griseldo Kusi ai që qëlloi në kokë Indrit Çelajn, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Për këtë krim ai u dënua me 12 vite burg, ndërsa Albano Kusi mori një dënim me 2 vite burg dhe vijon ende t’i shmanget drejtësisë.