Aplikacion
Prokuroria e Posaçme ka goditur një tjetër rast të rafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke arrestuar një person që dyshohet se kishte rol drejtues në një organizatë kriminale të përfshirë në transportin e sasive të mëdha të drogës drejt vendeve të Europës, Turqisë dhe Amerikës së Jugut.
Në pranga ka rënë Emiljan Burba, për të cilin Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Sipas SPAK, hetimet ndaj tij kishin nisur që prej vitit 2024, nën dyshimet për trafikim të lëndëve narkotike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.
Nga hetimet rezulton se Burba dyshohet të ketë qenë një nga organizatorët kryesorë të trafikut të 236 kilogramëve marijuanë nga Shqipëria drejt Turqisë, ndërsa autoritetet e konsiderojnë pjesë të një rrjeti kriminal me aktivitet ndërkombëtar.
Gjatë hetimeve janë identifikuar edhe 14 persona të tjerë, ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie, pasi dyshohen se kanë marrë pjesë në organizimin dhe realizimin e episodeve të ndryshme të trafikut të drogës.
Sipas SPAK, organizata kriminale dyshohet se siguronte transportin e marijuanës nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, si dhe drejt Turqisë. Po ashtu, grupi dyshohet se ishte i përfshirë edhe në trafikimin e kokainës nga vendet e Amerikës së Jugut drejt shteteve të Bashkimit Europian.
Një pjesë e provave janë siguruar përmes analizës së komunikimeve të zhvilluara në platformën e koduar Sky ECC, e cila ka shërbyer për dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.
Deri në këtë fazë të hetimeve, SPAK ka dokumentuar tre episode të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku në total janë sekuestruar mbi 2.4 tonë lëndë narkotike. Bëhet fjalë për sekuestrimin e 1,722 kilogramëve marijuanë në Mal të Zi në nëntor 2020, 236 kilogramëve marijuanë në Turqi në janar 2021 dhe 475 kilogramëve kokainë në portin holandez të Vlissingen, në një ngarkesë të ardhur nga Ekuadori./ Zoom.al