Aplikacion
Pas reagimeve të shumta që shkaktoi dhunimi i një 17-vjeçareje në Fier, ka folur edhe nëna e njërës prej vajzave 15-vjeçare të përfshira në ngjarje. Ajo shprehet e tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe u ka kërkuar ndjesë publike të dhunuarës dhe familjes së saj.
Në një reagim për mediat, nëna tregoi se familja e mori vesh për incidentin fillimisht nga mediat dhe më pas u paraqit në polici për të dhënë sqarimet përkatëse. Mes emocionesh, ajo tha se ndan dhimbjen me familjen e vajzës së dhunuar dhe se nuk gjen fjalë për të shprehur keqardhjen.
Sipas saj, e bija është diagnostikuar prej rreth tre muajsh me probleme të shëndetit mendor dhe prej kohësh familja ka kërkuar ndihmë për trajtimin e saj. Ajo pretendon se vajza kishte shfaqur edhe më herët sjellje agresive, ndërsa përpjekjet për të siguruar mbështetje psikologjike dhe mjekësore nuk kanë marrë përgjigjen e duhur.
Nëna thekson se gjendja e vështirë ekonomike nuk i lejon familjes të përballojë kostot e trajtimit të specializuar. Për këtë arsye, ajo u bën apel institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme, në mënyrë që vajza të marrë kujdesin shëndetësor dhe psikologjik që i nevojitet.
“Më mori policia, nuk di gjë. Ju kërkoj ndjesë prindërve të asaj goce. Sikur të më kishte ndodhur mua, do t’i kërkoja 100 herë ndjesë. Jam shumë e prekur, sikur t’ia kishin bërë fëmijës tim. Jam shumë e prekur. Po vajzën e kemi çuar për ta vizituar dhe është me probleme. Psikologia e shkollës e ka marrë, por s’ka bërë asgjë. Unë kërkoj shërim të plotë të gocës, sepse e kemi me probleme të shëndetit dhe me gjendje ekonomike nuk kam fare. Nuk e përballoj dot mjekimin. I kërkoj ndjesë familjes së vajzës dhe asaj vajze”, tha ajo./ Zoom.al