Aplikacion
Një shtetas shqiptar nga Kosova ka humbur jetën në një sulm me armë zjarri të ndodhur në Suedi, një ngjarje që dyshohet të lidhet me përplasjet e grupeve kriminale.
Viktima është identifikuar si Gent (Milot) Maksutaj, me origjinë nga fshati Banjë i Istogut.

Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga familjarët, të cilët shprehën dhimbjen për humbjen e të afërmit të tyre.
Në një reagim, një familjar i viktimës, Tahir Maksutaj, deklaroi se Genti nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se ndodhej rastësisht në vendin ku ndodhi sulmi. Sipas tij, ai u bë viktimë e dhunës së bandave kriminale.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00 të së dielës në zonën e Uppsalës. Pas të shtënave, autoritetet suedeze kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorët.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të arrestuar. Policia suedeze po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa po merr në pyetje edhe dëshmitarë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes./ Zoom.al