zoom

Aktualitet

Veliaj hedh akuza ndaj Ols Dados: Nuk ka bërë magjistraturën

Veliaj hedh akuza ndaj Ols Dados: Nuk ka bërë magjistraturën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj lëshoi akuza të forta ndaj prokurorit Ols Dado, gjatë seancës së zhvilluar në Gjykatën Administrative, ku u shqyrtua padia e tij ndaj prokurorit.

Gjatë fjalës së tij në sallën e gjyqit, Veliaj kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë dhe përfaqësuesit e tyre, duke pretenduar se në proces janë paraqitur informacione të pavërteta. Ai kërkoi që gjykata të reagojë ndaj asaj që e konsideroi si mungesë transparence dhe përgjegjshmërie nga institucionet e përfshira.

Në deklaratën e tij, Veliaj ngriti akuza edhe ndaj prokurorit Ols Dado, për të cilin tha se nuk ka ndjekur rrugën e zakonshme të formimit në sistemin e drejtësisë dhe se emërimi i tij ka qenë rezultat i favorizimeve politike. Sipas tij, kjo çështje është bërë objekt diskutimi publik prej kohësh.

“Po të isha në vendin tuaj, do të isha i shqetësuar që përfaqësuesja e KLP-së gënjeu hapur. Minimalisht, ju duhet t’u tërhiqni vëmendjen institucioneve shtetërore. Kemi arritur në ditën kur përfaqësuesja e një institucioni të lartë të drejtësisë gënjen hapur. Për diplomën me pesa të të akuzuarit, unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra nga një noter me pesa. Nuk po flas më për veten time, sepse nuk kërkoj mëshirë nga askush.

Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Ju e dini që ai e ka marrë shkollën me pesa. Nuk ka asnjë dosje. Është qokë. Edhe Bamir Topi doli dhe tha hapur se bëhej fjalë për një qokë. Kush i pastron plehrat? Janë bërë mullar, aq sa shoh nga dritaret e autobusit. Kush i ndërton kopshtet? Sot Tirana po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush. Ktheni solemnitetin e procesit. Ju jeni zoti i seancës. Si qenka KLGJ-ja? Atëherë, kot që jemi këtu. Nëse KLP thotë se kemi bërë prokuror noterin me pesa që shkatërroi jetën e një njeriu, kush e përfaqëson tani KLP-në? Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen minimale që të jep ligji”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u ndal gjithashtu te situata në Tiranë, duke theksuar se prej më shumë se një viti e gjysmë vendimmarrja në kryeqytet po ushtrohet nga persona që, sipas tij, nuk kanë marrë legjitimitet përmes votës së qytetarëve.

“Qyteti po drejtohet nga individë që nuk janë zgjedhur nga qytetarët. Ndërkohë, problematikat e përditshme mbeten pa zgjidhje dhe askush nuk mban përgjegjësi për to”, deklaroi Veliaj.

Seanca u shty për në datën 3 korrik./ Zoom.al

Postime të lidhura