Aplikacion
Gjykata Administrative ka vendosur të shtyjë seancën lidhur me padinë që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado. Seanca e radhës do të zhvillohet më 19 qershor, në orën 14:00.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, deklaroi për mediat se ekipi mbrojtës ka krijuar bindjen se ndaj kësaj çështjeje po ushtrohet presion institucional.
Sipas Ndrecës, disa veprime procedurale të ndodhura gjatë procesit kanë shtuar dyshimet e mbrojtjes. Ai përmendi një shkresë të ardhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke theksuar se dokumenti ishte dërguar në një kohë kur institucioni, sipas tij, nuk kishte zhvilluar mbledhje zyrtare.
Avokati shtoi gjithashtu se kërkesa e tyre për praninë e kamerave në sallën e gjyqit është refuzuar, gjë që sipas tij rrit perceptimin për mungesë transparence në trajtimin e çështjes.
“E gjithë panorama e fakteve na bën të dyshojmë se kemi të bëjmë me një presion të jashtëzakonshëm institucional”, deklaroi Ndreca, duke sqaruar se kundërshtimi i tyre nuk kishte të bënte me përfaqësuesen në sallë, por me institucionin dhe objektivin që ajo përfaqësonte.
Padia e Veliajt ndaj prokurorit të SPAK lidhet me pretendimet për ligjshmërinë e ushtrimit të funksionit dhe kompetencave të tij në hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës./ Zoom.al