Aplikacion
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur urdhrin për rikthimin në detyrë të Alban Dokushit si sekretar i përgjithshëm i institucionit, në zbatim të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit.
Dokushi ishte liruar më herët nga detyra me një urdhër të firmosur nga Anuela Ristani, por gjykata ka shpallur të pavlefshme aktet që çuan në largimin e tij nga shërbimi civil dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare.Vendimi i Apelit ka detyruar Bashkinë e Tiranës të zbatojë rikthimin e tij në funksion, ndërsa urdhrat përkatës tashmë janë protokolluar në institucion.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Administrative e Apelit vlerëson se aktet e kundërshtuara janë absolutisht të pavlefshme, duke theksuar se ato nuk kanë prodhuar asnjë efekt juridik dhe konsiderohen sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë.
Po ashtu, gjykata nënvizon se vendimet e prekura nga pavlefshmëria absolute nuk mund të korrigjohen apo të legjitimohen në një moment të mëvonshëm nga organi që i ka nxjerrë, duke i dhënë kështu fund çështjes në favor të rikthimit të Alban Dokushit në postin e sekretarit të përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës./ Zoom.al