Aplikacion
Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të mërkurë para ambienteve të SPAK, ku dorëzuan librin “Albanian Files”, të firmosur një ditë më parë nga pjesëmarrësit në protestën e zhvilluar në Tiranë. Ata deklaruan se dokumenti përmban prova që, sipas tyre, duhet të hetohen nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa paralajmëruan se do të depozitojnë edhe një kallëzim penal.
Protestuesit ritheksuan se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, libri “Albanian Files” përfaqëson atë që e cilësuan si “arma e krimit”, me të cilën, sipas tyre, është dëmtuar Shqipëria.
“Në atë libër janë projektet, një pjesë e të cilave janë ndërtuar, disa të tjera janë në ndërtim, ndërsa të tjera pritet të realizohen. Aty është edhe projekti i Zvërnecit që në vitin 2022, ndërkohë që Edi Rama deklaronte se nuk kishte projekt. Është arma e krimit me të cilën Rama ka shkatërruar Shqipërinë”, u shpreh një prej aktivisteve.
Para SPAK foli edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila tha se libri përmban 523 projekte, të ndërtuara, në proces ndërtimi ose të planifikuara për t’u realizuar.
Sipas saj, dokumenti tregon se janë shmangur konsultimet publike dhe se ligji 2424 është miratuar në funksion të projekteve që, sipas saj, ishin parashikuar vite përpara ndryshimit të ligjit.
“Në këtë libër gjenden 523 projekte, disa të ndërtuara, disa në ndërtim e sipër dhe disa të tjera në plan për t’u ndërtuar. Në këtë libër del qartë se Rama ka shmangur konsultimin. Në këtë libër del qartë se ligji 2424 është një ligj i miratuar për shkak të projekteve të ndryshme që gjenden në këtë libër vite më parë se të ndryshohej ligji.
Ne jemi këtu për t’i dhënë SPAK-ut mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne nuk jemi për drejtësi popullore, por kërkojmë një shtet të së drejtës, ku kryeministri të trajtohet dhe të hetohet si të gjithë qytetarët. Kërkojmë drejtësi deri në fund dhe drejtësi për të gjithë, pavarësisht pushtetit momental”, deklaroi Vatnikaj.