zoom

Aktualitet

Dinamika e aksidentit në autostradë, eksperti tregon si barriera metalike depërtoi në mjet

Dinamika e aksidentit në autostradë, eksperti tregon si barriera metalike depërtoi në mjet

Zbardhen detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbi jetën drejtuesi i minibusit dhe mbetën të plagosur disa pasagjerë.

Përmes një simulimi 3D, eksperti i sigurisë rrugore Alfred Hasanaj ka shpjeguar mënyrën se si dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Sipas tij, mjeti po lëvizte fillimisht me një shpejtësi rreth 110 km/h, kur goditi bordurën prej betoni në anë të rrugës. Pas këtij kontakti, shpejtësia u ul në rreth 100 km/h, por minibusi vijoi lëvizjen dhe u përplas me barrierën metalike anësore.

Hasanaj theksoi se përplasja ishte tepër e fortë, ndërsa barriera metalike depërtoi përgjatë trupit të mjetit, duke shkaktuar dëme të mëdha. Sipas tij, një nga elementët që mund të ketë ndikuar në rëndimin e pasojave është fakti se fundi i barrierës nuk rezulton të ketë qenë i mbrojtur sipas standardeve të sigurisë, me elementë amortizues ose strukturë mbrojtëse.

Eksperti ngriti gjithashtu dyshime mbi gjendjen e drejtuesit të mjetit në momentet e fundit para aksidentit. Ai vuri në dukje se nga analiza e lëvizjeve nuk konstatohet asnjë reagim i shoferit pas goditjes së parë me bordurën, çka mund të tregojë se ai nuk ka qenë i vetëdijshëm gjatë drejtimit të automjetit.

Megjithatë, Hasanaj nënvizoi se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes. Edhe pse nuk përjashtohet mundësia e një problemi shëndetësor, përfshirë një atak kardiak, ai theksoi se vetëm ekspertiza mjeko-ligjore do të mund të japë një përgjigje përfundimtare.

“Kemi këyqrur segmentin rrugor dhe kemi ndërtuar një video 3D. Ky mjet fillimisht, në momentin e goditjes me barrierën duhet të ketë pasur një shpejtësi jo më pak se 100 km/h. Fillimisht ka goditur bordurën e betonit dhe mendohet të ketë qenë rreth 110 km/h dhe në momentin që godet barrierën metalike, është rreth 100 km/h. Bordura e rrugës e ka kthyer mjetin në rrugë dhe më pas ai godet barrierën metalike përballë dhe ajo më pas depërton në mjet, në gjithë gjatësinë e tij. Pjesa fundore e barrierës metalike s’ka qenë e mbyllur sipas normave, me shuarës ose në formë trekëndëshi ku kulmi i trekëndëshit ngulet në tokë.

Drejtuesi i mjetit nuk reagon në momentin e goditjes me bordurën. Ai ka vazhduar drejt dhe ka goditur gjithë pjesën e barrierës. Duket që kemi të bëjmë me një drejtues mjeti që nuk ka qenë i vetëdijshëm. Drejtuesi i automjetit ka qenë në korsinë e emergjencës, jo të qarkullimit. Nuk përjashtohet mundësia e shkaqeve shëndetësore. Nëse do të ishim në kushtet e atakut kardiak, nuk do të kishim shpejtësi kaq të madhe. Ndoshta s’kemi të bëjmë me shkaqe ligjore, por mjekësia ligjore do ta vërtetojë”, tha Hasanaj.

Ndërkohë, gjendja e të plagosurve vijon të monitorohet nga mjekët. Gjashtë prej tyre kanë dalë tashmë nga Spitali i Traumës, ndërsa të tjerë vijojnë të marrin trajtim. Një fëmijë 8-vjeçar, i cili mbërriti në spital në gjendje kritike dhe u reanimua nga mjekët, ka kaluar rrezikun për jetën. Nën kujdes intensiv mbetet edhe një grua 56-vjeçare me nënshtetësi çeke, e cila ka pësuar dëmtime të shumta, ndërsa një 14-vjeçar raportohet në gjendje të stabilizuar./ Zoom.al

Postime të lidhura