zoom

Aktualitet

U dhunua sa doli nga shtëpia, Ilir Demalia tregon ngjarjen: Dy veta të lagjes…

U dhunua sa doli nga shtëpia, Ilir Demalia tregon ngjarjen: Dy veta të lagjes…

Analisti Ilir Demalia rrëfyeu si u dhunua mesditën e sotme pranë banesës së tij.

Ai tregoi se sapo kishte dalë nga shtëpia, kur u përball me dy persona të cilët, sipas tij, e sulmuan fizikisht duke e goditur me grushte.

Në një lidhje nga spitali për emisionin “Shqipëria Live”, Demalia deklaroi se autorët e akuzuan se kishte njoftuar policinë për një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt. Megjithatë, ai mohoi të ketë bërë një denoncim të tillë, duke theksuar se akuzat ndaj tij ishin të pabazuara.

Sipas analistit, ngjarja nuk lidhet me qëndrimet e tij politike, por me debatet e vazhdueshme për parkimet në zonën ku banon. Ai u shpreh se prej kohësh ka ngritur shqetësimin për automjetet që bllokojnë hyrjet e pallateve dhe vështirësojnë lëvizjen e banorëve.

“Asgjë, po dilja nga shtëpia dhe dy veta të lagjes që kanë dyqan aty më sulmuan. Një polic po i vinte gjobë për parkim të gabuar. Më goditën me grushte se thanë që kam lajmëruar policinë, por nuk e kisha lajmëruar unë.

Nuk i kam borxh njeriu dhe as armiqësi, por kërcënime të vazhdueshme kam pasur, urrejtje kot. Si shqiptarët, shihemi online, në media, jemi një popull që veç urrejmë, por nuk e kuptojmë që me këtë do të shkatërrojmë vetveten.

Shumë njerëz më thonë pse rri, pse ashtu, unë rri ku të më dojë qejfi mua. Nuk besoj që më rrahën për qëndrimet e politikës, por pse kam ngritur problemin për të pastruar parkimin e asaj zone, se nuk hyjmë dot në shtëpi. Këtu është vendi i cubave. Më dhunuan në sy të policisë. Po i kërkon policia, i ka gjetur, por nuk e di nëse i kanë kapur. A ka shtet këtu? E bëra denoncimin. Më dhunuan me grushte, ishin dy veta”, u shpreh Demaliaj./ Zoom.al

Postime të lidhura