zoom

Aktualitet

Vapë ekstreme në horizont, Shqipëria pritet të përballet me një korrik përvëlues

Vapë ekstreme në horizont, Shqipëria pritet të përballet me një korrik përvëlues

Muaji korrik pritet të sjellë një valë edhe më të fortë të të nxehtit në Shqipëri, me temperatura që në disa zona të vendit mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius. Paralajmërimi është bërë nga meteorologia Tanja Porja, e cila thekson se ky muaj pritet të jetë më i nxehtë se qershori.

Sipas saj, temperaturat e regjistruara gjatë muajit të kaluar, që në disa qytete kapërcyen 40 gradët, do të tejkalohen gjatë javëve në vijim. Në disa zona termometri mund të shënojë 41 deri në 42 gradë, ndërsa lokalisht nuk përjashtohen vlera që afrohen ose arrijnë 43°C.

Porja shpjegon se freskimi i përkohshëm i motit në ditët e para të korrikut nuk do të zgjasë shumë. Temperaturat do të luhaten rreth 34-36 gradë Celsius, por pas datës 7 korrik pritet rikthimi i një vale të re të të nxehtit, e ushqyer nga masat ajrore shumë të nxehta që vijnë nga Afrika e Veriut.

“Tirana ka shënuar 40.1 gradë, Shkodra ka kapërcyer 41 gradët dhe në fakt këto i takojnë muaj qershor, por ne presim jo vetëm 41 por më shumë se 41 gjatë muajit në të cilin sapo kemi hyrë në korrik. Pritet korriku të jetë goxha më përvëlues se qershori. Presim 41-42 gardë gjatë korrikut, por intensiteti mund të jetë i lartë, pra vlera termike mund të arrihet 42.5 pesa apo 43”, tha Porja.

Sipas meteorologes, kjo masë ajrore do të shtrihet në një pjesë të madhe të Europës Jugore dhe Ballkanit, duke favorizuar temperatura shumë të larta edhe në territorin shqiptar.

Ajo vlerëson se vala e parë e të nxehtit gjatë korrikut do të jetë më intensive se ajo e qershorit, por me një kohëzgjatje më të shkurtër, rreth katër deri në pesë ditë.

Përveç vapës ekstreme, temperaturat e larta pritet të krijojnë kushte për zhvillimin e stuhive lokale, të shoqëruara me reshje intensive, breshër dhe erëra të forta, kryesisht në zonat kodrinore dhe malore. Këto fenomene mund të shkaktojnë dëme edhe në kulturat bujqësore.

Meteorologia paralajmëron gjithashtu se lagështira e lartë do ta bëjë vapën të ndihet edhe më e rëndë, duke rritur temperaturën e perceptuar. Për ata që planifikojnë pushimet, ajo rekomandon zonat malore dhe liqenore, si Pogradeci dhe Puka, ku kushtet klimatike pritet të jenë më të favorshme.

Sipas parashikimeve, edhe muaji gusht pritet të karakterizohet nga temperatura mbi mesataren sezonale, ndërsa moti i nxehtë mund të zgjasë deri në ditët e para të tetorit./ Zoom.al

Postime të lidhura