zoom

Aktualitet

Rama “shijon” ligjin për investime strategjike deri në “pikën e fundit”, projekt 100 milionë euro në Vlorë

Rama “shijon” ligjin për investime strategjike deri në “pikën e fundit”, projekt 100 milionë euro në Vlorë

Këshilli i Ministrave ka miratuar transferimin e një pasurie shtetërore në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, në funksion të realizimit të projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”.

Sipas vendimit të miratuar më 30 qershor 2026, përfitues i projektit është shoqëria “Rams Albania” sh.p.k., e cila më herët ka marrë statusin “Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë” me vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike, të datës 11 shkurt 2026.

Dokumentacioni i projektit parashikon zhvillimin e një zone teknologjike dhe ekonomike (TEDA), e konceptuar si një qendër industriale, logjistike dhe inovative. Aktivitetet e planifikuara përfshijnë teknologjinë industriale, automatizimin, inteligjencën artificiale, përpunimin mekanik të metaleve, metalurgjinë e pastër, trajtimet sipërfaqësore jo ndotëse dhe energjinë e rinovueshme.

Sipas të dhënave të publikuara, projekti parashikon një investim prej 100 milionë eurosh dhe synon krijimin e rreth 10 mijë vendeve të punës. Sipërfaqja e planifikuar për zhvillim është 158.2 hektarë në zonat kadastrale 2765 dhe 8604 në Bashkinë Vlorë. Nga kjo sipërfaqe, 86.5 hektarë rezultojnë pronë shtetërore, 65.4 hektarë janë prona private, ndërsa për 6.3 hektarë nuk raportohet informacion kadastral.

Sipas dokumenteve të projektit, zhvilluesi do të ketë të drejtë të japë me qira ambientet dhe hapësirat brenda zonës për subjekte të tjera ekonomike që do të ushtrojnë aktivitet në përputhje me legjislacionin për zonat teknologjike dhe ekonomike.

“TEDA” është një regjim i veçantë ekonomik, i cili parashikon lehtësi fiskale dhe doganore për investitorët që operojnë në këto zona, sipas legjislacionit në fuqi.

Ky vendim vjen në një kohë kur ligjit për investimet strategjike po i mbaron afati. Dy ditë më parë, ministrja Delina Ibrahimaj premtoi një paketë të re ligjore brenda vitit, por deri në miratimin e saj, qeveria po vijon të shfrytëzojë ligjin aktual, i cili është hartuar që në 2016 dhe është shtyrë vazhdimisht.

Postimi i plotë i Aranita Brahaj – Open Procurement

Premtohet shfuqizimi i ligjit. Transferimet e tokës vazhdojnë #Vlora #Narta

Ndërsa qytetarët në Shqipëri dhe diaspora protestojnë kundër kapjes së institucioneve, ligjeve të kapura dhe qeverisjes autokratike të Kryeministrit Edi Rama, qeveria vazhdon të përdorë mekanizmat e Ligjit për Investimet Strategjike për të transferuar prona shtetërore në funksion të projekteve të miratuara.

Më 30 qershor 2026, Këshilli i Ministrave miratoi transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të një pasurie shtetërore për mbështetjen e realizimit të projektit “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, me subjekt investues “Rams Albania” sh.p.k., NUIS M42427018I.

Profili i kompanisë:
https://opencorporates.al/sq/nipt/M42427018I

Më herët, po kësaj kompanie i ishte miratuar statusi “Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë” me Vendimin nr. 1, datë 11.02.2026, të Komitetit të Investimeve Strategjike.

Dokumenti:
https://opencorporates.al/documents/dokumenta/1782908935VKIS-RAMS-lll.pdf

Sipas vendimit, projekti propozohet të zhvillohet si një ekosistem industrial, logjistik dhe inovativ që do të përfshijë teknologjinë industriale, automatizimin, inteligjencën artificiale, përpunimin mekanik të lehtë të metaleve, metalurgjinë e pastër, trajtime sipërfaqësore jo ndotëse dhe energjinë e rinovueshme.

Por kush është kompania që përfiton këtë status?

Rams Albania sh.p.k. u themelua më 26 dhjetor 2024 nga shtetasi turk Vahit Emir Seydaoglu. Më 28 maj 2025, kompania ndryshoi pronësi dhe u shit për vetëm 100 lekë, ndërsa pronari aktual rezulton Mehmet Faruk Bülbül (jo aktor Turk sic e japin ca portale ne pasaktesi)

Të dhënat:
https://opencorporates.al/sq/search?partner=Mehmet%2BFaruk%2BB%25C3%25BClb%25C3%25BCl

Sipas dokumenteve të Komitetit të Investimeve Strategjike, projekti parashikon:

  • Investim prej 100 milionë euro;
  • Krijimin e rreth 10 000 vendeve të punës;
  • Zhvillimin e një sipërfaqeje prej 158.2 hektarësh në zonat kadastrale 2765 dhe 8604, Bashkia Vlorë.

Nga kjo sipërfaqe:

86.5 ha janë në pronësi të pretenduar “shtet”;
65.4 ha janë prona private;
6.3 ha rezultojnë pa informacion kadastral.

Nëse analizohen zonat kadastrale, zona 8604 përfshin territor në Bashkinë Vlorë dhe zonën e Nartës.

Harta:
https://www.devinf.com/map/index.html#f=zk_monitorim&r=ACD30KE3SCWDX&z=12&lt=40.4947619&ln=19.4625383

Vendimi i Komitetit të Investimeve Strategjike i jep projektit të drejtën të zhvillojë një gamë shumë të gjerë aktivitetesh ekonomike, përfshirë teknologjinë industriale, automatizimin, inteligjencën artificiale IA, përpunimin mekanik të metaleve dhe energjinë e rinovueshme.

Për shkak se projekti zhvillohet si TEDA (Zonë Teknologjike dhe Ekonomike), ai do të funksionojë me një regjim të veçantë fiskal dhe doganor, duke përfituar nga lehtësitë që parashikon ligji për këto zona.

Po aq e rëndësishme është edhe një dispozitë tjetër e vendimit, e cila parashikon:

“Në vijim, ai do të mundësojë dhënien me qira të ambienteve dhe hapësirave përkatëse tek përdoruesit, me qëllim ushtrimin e veprimtarive ekonomike brenda zonës, në përputhje me aktivitetet e parashikuara në ligjin për zonat teknologjike dhe ekonomike.”

Kjo do të thotë se zhvilluesi i projektit mund të japë me qira hapësirat për subjekte të shumta ekonomike që do të operojnë brenda zonës, duke krijuar një qendër të madhe aktiviteti ekonomik me regjim fiskal preferencial.
Pra toka shtet e privat i jepet nje kompani qe mund te jape me qira duke fituar te gjitha fitimet nga Zone e Lire (pa taksa) dhe Pakt Teknologjik (Nipt Virtual).

Ndërkohë, edhe pse është premtuar hartimi i një ligji të ri për Investimet Strategjike, projektet e miratuara mbi bazën e ligjit aktual vazhdojnë të prodhojnë efekte juridike, përfshirë transferimin e pronave shtetërore dhe krijimin e të drejtave afatgjata për investitorët që kanë përfituar statusin e investitorit./ Zoom.al

Postime të lidhura