Aplikacion
Personi që shihni në foton e mëposhtme është shoferi 36-vjeçar Redion Hasimi, që humbi jetën një ditë më parë në një aksident rrugor në autostradën Durrës-Tiranë.

Hetimet për aksidentin tragjik të ndodhur pranë QTU-së, po përqendrohen te dyshimi se drejtuesi i mikrobusit mund të ketë humbur kontrollin e mjetit si pasojë e një arresti kardiak.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se deri në këtë fazë të hetimeve nuk janë gjetur shenja frenimi në vendngjarje, çka forcon dyshimet se 36-vjeçari Redion Hasimi nuk ka pasur mundësi të reagojë në momentet e fundit para aksidentit. Megjithatë, shkaku përfundimtar i vdekjes dhe rrethanat e ngjarjes do të përcaktohen vetëm pas ekspertizës mjeko-ligjore.
Verifikimet e kryera nga Policia Rrugore tregojnë se shoferi nuk rezulton të ketë qenë duke lëvizur mbi kufijtë e lejuar të shpejtësisë. Sipas të dhënave paraprake, mjeti po qarkullonte brenda limiteve të parashikuara për këtë kategori automjetesh në autostradë.
Po ashtu, nga kontrollet e kryera në sistemet e policisë nuk rezulton që 36-vjeçari të ketë pasur precedentë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor apo të jetë konsideruar drejtues problematik.
Si pasojë e aksidentit humbi jetën drejtuesi i mikrobusit, ndërsa 12 pasagjerë mbetën të plagosur. Mes tyre ndodhen edhe dy fëmijë, të cilët po marrin trajtim mjekësor, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e tragjedisë./ Zoom.al