zoom

Aktualitet

Aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë-Durrës, si paraqitet gjendja e të plagosurve! 8-vjeçari mbetet në Reanimacion

Aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë-Durrës, si paraqitet gjendja e të plagosurve! 8-vjeçari mbetet në Reanimacion

Spitali i Traumës ka publikuar një përditësim mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve nga aksidenti i rëndë i ndodhur në autostradën Tiranë–Durrës, ku humbi jetën drejtuesi i autobusit, 36-vjeçari Redion Hasimi, ndërsa 15 pasagjerë mbetën të plagosur.

Sipas njoftimit, pesë prej të lënduarve, të cilët u paraqitën në gjendje të stabilizuar dhe të vetëdijshëm, kanë lënë spitalin jashtë rrezikut për jetën. Gjatë ditës pritet të dalë nga spitali edhe një pacient tjetër, gjithashtu jashtë rrezikut.

Një 8-vjeçar vijon të trajtohet në Reanimacion, ku paraqitet me parametra jetësorë stabël. Në të njëjtin repart ndodhet edhe një shtetase 56-vjeçare me origjinë vietnameze dhe nënshtetësi çeke, e cila është në monitorim intensiv. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e saj mbetet e rëndë për shkak të dëmtimeve të shumta, por parametrat jetësorë janë stabël.

Ndërkohë, një 14-vjeçar ndodhet në pavion, jashtë rrezikut për jetën, ku po merr trajtim për dëmtime në gjymtyrët e poshtme.

Edhe pacientët e tjerë që iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale pas aksidentit paraqiten me gjendje të stabilizuar, por do të vijojnë të mbahen nën monitorim intensiv. Mes tyre është edhe një shtetase çeke 20-vjeçare me origjinë vietnameze.

Sipas Spitalit Universitar të Traumës, ekipi multidisiplinar vijon të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë të plagosurit, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet në dinamikë

Postime të lidhura