Aplikacion
Policia e Shtetit ka përditësuar të dhënat zyrtare mbi aksidentin e rëndë të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, duke saktësuar bilancin e viktimave dhe të të lënduarve.
Sipas njoftimit të përditësuar, në aksident ka humbur jetën vetëm drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë. Fillimisht ishte raportuar se viktimat ishin dy, por pas verifikimeve rezultoi se një fëmijë, i cili mbërriti pa shenja jete në një spital privat, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit mjekësor.
Më pas, i mituri u transportua në Spitalin Ushtarak, ku vijon të marrë trajtim në repartin e kujdesit intensiv.
Policia bën me dije gjithashtu se numri i të plagosurve është 12 dhe jo 15, siç u raportua fillimisht. Nga këta, shtatë persona ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pesë të tjerë kanë marrë dëmtime më të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas autoriteteve, pasaktësitë në informacionin e parë erdhën për shkak të situatës dinamike në vendngjarje dhe transportimit të të lënduarve në institucione të ndryshme shëndetësore, si publike ashtu edhe private./ Zoom.al
Dita e 31-të e tubimit në Tiranë! Protestuesit nisen nga sheshi për në Kryeministri