zoom

Aktualitet

14 policë të plagosur gjatë protestës

14 policë të plagosur gjatë protestës

Gjatë protestës së zhvilluar ditën e sotme, disa persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore në spital.

Në Urgjencën e Spitalit të Traumës, kanë marrë trajtim mjekësor gjithsej 16 persona, prej të cilëve 14 efektivë policie dhe 2 protestues.

Aktualisht, 4 prej efektivëve vijojnë të jenë nën kujdes mjekësor, ndërsa pjesa tjetër e të lënduarve janë larguar pas marrjes së ndihmës së nevojshme.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë trajtuar 3 persona: 1 efektiv policie dhe 2 protestues.

Sipas informacionit zyrtar, të gjithë ata janë larguar pas marrjes së trajtimit dhe nuk paraqesin gjendje të rënduar.

Sot gjatë ditës, disa prej protestuesve kanë goditur me vezë deputetët dhe u kanë bllokuar rrugën duke u ndaluar të kalonin me makinë, ç’ka ka bërë që policia të reagojë duke i shoqëruar me dhunë në komisariat.

Në të njëjtën kohë disa protestues çanë gardhin metalik dhe tentuan të hyjnë brenda Parlamentit, gjë që bëri që Policia të përdorte edhe spray lotsjellës.

Gjatë përplasjes, disa protestues në shenjë revolte pas sulmit të efektivëve, kanë sulmuar një automjet të Policisë së Shtetit, duke i thyer xhamat. Fillimisht ata kanë hedhur gurë në drejtim të mjetit, ndërsa më pas kanë marrë gardhe metalike dhe i kanë përplasur disa herë mbi automjet, duke i shkaktuar dëmtime./ Zoom.al

Postime të lidhura