Aplikacion
Temperaturat e larta që kanë përfshirë Shqipërinë, sipas Institutit të Gjeoshkencave, rrezikojnë zjarre në një pjesë të vendit, kryesisht në zonat pyjore.
Rrezik më të lartë, meteorologët parashikojnë të premten në jugperëndim të qarkut të Shkodrës dhe në verilindje të qarkut të Fierit. Ndërsa në pjesën tjetër të Shkodrës, Lezhë, Durrës dhe Fier, rreziku për zjarre parashikohet të jetë më i moderuar.
Tirana, Elbasani, Berati, Vlora dhe Gjirokastra, sipas meteorologëve, kanë rrezik më të ulët për t’u përfshirë nga flakët.
Sinoptikanët parashikojnë që vlerat e termometrit të premten të shkojnë deri në 34 gradë Celsius. Të larta do të jenë edhe temperaturat minimale, të cilat parashikohet të arrijnë deri në 22 gradë. Kjo do të bëjë që të mos e ndiejmë freskinë e pritur as në mëngjes dhe as në mbrëmje.
Pasditen e së enjtes dhe gjatë së premtes nuk do të mungojnë as reshjet e shiut. Ato parashikohet të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare, të shoqëruara me shtrëngata në Shkodër, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Korçë. Në pjesën tjetër të territorit nuk përjashtohen reshje të dobëta lokale.