Aplikacion
Temperaturat përvëluese, të cilat kanë përfshirë Shqipërinë, do të zgjasin deri në mesjavë.
Sipas sinoptikanëve, rritja e lagështirës do të bëjë që këto temperatura përvëluese të ndihen edhe më shumë.
“Për Shqipërinë ishte fundjava më e nxehtë, temperatura mbi 40 gradë. Temperaturat më të larta kanë qenë të fokusuara në zonën e Shkodrës, qarkun e Beratit, Urën Vajgurore, Belshin, Cërrikun, Elbasanin. Të hënën, të martën dhe të mërkurën do të jemi pothuajse në të njëjtat vlera, pasi e marta dhe e mërkura pësojnë gjysmë gradë ulje, por shtohet lagështira”, thotë sinoptikanja Lajda Porja.
Vala e të nxehtit pritet të largohet duke filluar nga mesjava.
“Masa e nxehtë po largohet nga Ballkani drejt brigjeve greke dhe turke. Të enjten, të premten dhe fundjavë zbresin në 34 gradë”, shton sinoptikanja.
Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin kanë sjellë pasoja edhe në shëndetin e popullatës. Sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, doktor Skënder Brataj, rreth 1500 thirrje janë regjistruar në urgjencën kombëtare gjatë 24 orëve.
“1500 thirrje në 24 orë… patologjitë janë të ndryshme. Por piramida e sëmundshmërisë, pjesa më e madhe, janë sëmundjet kardiologjike, neurologjike, tumorale. Në këtë moment kemi një rritje të lehtë për gjendje të fikti, djersitje, humbje të vetëdijes, që ka të bëjë me dehidratimin dhe ekspozimin e lartë në diell”, thotë Brataj.
Protesta/ Artan Hoxha: Rama ka futur në punë anti-terrorin dhe SHISH, 173 persona në filtër