Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë në protestën e radhës të organizuar nga lëvizja “Revolucioni i Flamingove”. Tubimi u zhvillua paralelisht me seancën plenare dhe u shoqërua me tensione me forcat e policisë, ndërsa protestuesit tentuan të bllokonin hyrjen e deputetëve në Parlament.
Protesta u shoqërua me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për ndalimin e projektit të resortit në Sazan dhe Zvërnec, si edhe për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës pati momente tensioni mes qytetarëve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Protestuesit tentuan të çanin kordonin e sigurisë dhe të bllokonin hyrjen e deputetëve në Kuvend, ndërsa efektivët ndërhynë duke i shtyrë dhe larguar me forcë nga hyrjet e Parlamentit.
Në pamjet e publikuara nga mediat dhe në rrjetet sociale shihen përplasje fizike, me protestues që rrëzohen gjatë ndërhyrjes së policisë. Organizatorët e protestës e cilësuan ndërhyrjen si përdorim të pajustifikuar të forcës ndaj një tubimi paqësor, ndërsa policia e justifikoi veprimin me nevojën për garantimin e rendit dhe sigurisë së institucionit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë duke marrë shërbim mjekësor 2 efektivë policie dhe 2 protestues.
Në QSUT po trajtohen 1 efektiv policie dhe 2 protestues.
Në të dy strukturat spitalore personat e paraqitur janë nën kujdesin mjekësor jashtë rrezikut për jetën.