Aplikacion
Protesta e zhvilluar këtë të enjte në Tiranë vijoi me tensione edhe jashtë Komisariatit nr.1, ku ishin mbledhur qytetarë pas shoqërimit të disa protestuesve nga policia.
Në momentin e mbërritjes së përfaqësuesve politikë, mes tyre Klevis Balliu, Erald Kapri dhe Redi Muçi, të pranishmit reaguan me thirrje kundërshtuese, duke u kërkuar të largoheshin nga ambientet e komisariatit. Mes brohoritjeve dëgjoheshin fraza si: “Kush je ti?”, “Kë mbron?” dhe “Ikni, largohuni!”, ndërsa situata mbeti e tensionuar për disa minuta.
Ngjarja vjen pas përplasjeve që shoqëruan protestën para Kuvendit, ku pati incidente mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Gjatë tubimit u përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa në drejtim të automjeteve të deputetëve u hodhën vezë, gurë dhe sende të tjera.
Sipas informacioneve paraprake, rreth 20 persona janë shoqëruar nga policia për ngjarjet e regjistruara gjatë protestës. Ndërkohë, raportohet se të paktën pesë qytetarë kanë mbetur të lënduar si pasojë e përplasjeve./ Zoom.al