zoom

Aktualitet

Përplasjet para Kuvendit, policia shoqëron mbi 20 protestues

Përplasjet para Kuvendit, policia shoqëron mbi 20 protestues

Protesta e zhvilluar këtë të enjte para Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me incidente dhe tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke çuar në shoqërimin e mbi 20 personave në komisariat.

Qytetarët u grumbulluan pranë hyrjeve të Parlamentit në kohën kur deputetët po mbërrinin për seancën plenare, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

Gjatë protestës, disa pjesëmarrës hodhën vezë dhe sende të tjera në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe ministrave. Krahas thirrjeve kundër mazhorancës, pati edhe reagime ndaj përfaqësuesve të opozitës, të cilët një pjesë e protestuesve i akuzuan për mungesë reagimi ndaj situatës politike.

Tensionet u shtuan kur një grup protestuesish tentoi të afrohej pranë hyrjeve të Kuvendit, çka solli ndërhyrjen e forcave të policisë. Për shpërndarjen e turmës u përdor ujë me presion, ndërsa pati përplasje fizike mes efektivëve dhe protestuesve.

Si pasojë e incidenteve, u raportuan persona të lënduar nga të dyja palët, ndërsa policia shoqëroi mbi 20 protestues për veprime të mëtejshme procedurale./ Zoom.al

Postime të lidhura