zoom

Aktualitet

Lamallari mohon dhunën policore në protestë: Ata nuk janë protestues, por vandalë!

Lamallari mohon dhunën policore në protestë: Ata nuk janë protestues, por vandalë!

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka hedhur poshtë akuzat për dhunë të ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve gjatë protestës së një dite më parë para Kuvendit, duke deklaruar se faktet tregojnë të kundërtën dhe se objekt i sulmeve kanë qenë efektivët e policisë, gazetarët dhe institucionet publike.

Deklaratat ministri i bëri nga Elbasani, ku së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inauguroi ambientet e rikonstruktuara të Drejtorisë Vendore të Policisë.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave për ngjarjet e protestës, Lamallari tha se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por shtoi se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, gazetarëve dhe institucioneve publike nuk mund të justifikohet.

Sipas tij, pamjet e administruara nga autoritetet tregojnë se disa efektivë policie mbetën të plagosur pasi u goditën me gurë dhe sende të forta, ndërsa pati edhe sulme ndaj gazetarëve dhe dëmtime të pronës publike.

“U pretendua se gazetarët ishin dhunuar nga Policia, por faktet janë komplet ndryshe. Pamjet tregojnë se gazetarët u konfrontuan nga protestues, të cilët tentuan t’u merrnin mikrofonët dhe i shtynë gjatë kryerjes së detyrës,” deklaroi ministri.

Lamallari tha se Policia e Shtetit ka vepruar në zbatim të ligjit për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin publik, duke theksuar se duhet bërë dallim mes protestës paqësore dhe akteve të dhunës.

“Njerëzit që godasin policët me gurë, intimidojnë deputetët dhe sulmojnë gazetarët nuk mund të quhen protestues. Ata janë vandalë,” u shpreh ai.

Deklaratat e ministrit vijnë një ditë pasi ndërhyrja e policisë gjatë protestës u shoqërua me akuza nga protestues dhe opozita për përdorim të forcës ndaj qytetarëve, pretendime që Lamallari i mohoi, duke këmbëngulur se veprimet e Policisë së Shtetit kanë qenë në përputhje me ligjin.

Postime të lidhura