Aplikacion
Zbardhen detaje të reja lidhur me arrestimin e Granit Pepnikajt, i cili u vu në pranga mesditën e së premtes gjatë një operacioni policor në zonën e Dhërmiut.
Sipas autoriteteve, Pepnikaj, i dyshuar si organizatori i një skeme mashtrimi kompjuterik përmes rrjetit të call center-ave në Tiranë, u lokalizua në kompleksin rezidencial “Olea Residence”, ku po qëndronte i fshehur.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku ai ndodhej, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, si edhe një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa.
Në të njëjtin operacion u arrestuan edhe dy persona të tjerë. Bëhet fjalë për Xh. H., 31 vjeç, i shpallur më herët në kërkim për të njëjtën vepër penale, si dhe R. R., 28 vjeç, i cili u kap në flagrancë nën dyshimin se kishte ndihmuar personat e kërkuar të fshiheshin nga autoritetet.
Sipas Policisë, ndaj Granit Pepnikajt ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” me vendim të Gjykatës së Tiranës të datës 30 prill 2026, pasi dyshohet për veprën penale të mashtrimit kompjuterik. Ndërsa ndaj Xh. H. ishte vendosur e njëjta masë sigurie me vendim të 13 prillit 2026, për të njëjtën akuzë./ Zoom.al