Aplikacion
Vila dhe hotele luksoze në një ishull të paprekur të Shqipërisë: këto janë projektet e ndërmarra nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, dhe Ivanka Trump, vajza e tij, të cilat ndezën gjakrat dhe shpërthyen një nga lëvizjet më të fuqishme të rrugës që vendi ka njohur prej dekadash. Për kërkuesin Florent Marciacq, kjo protestë vë në pikëpyetje marrëdhënien midis qytetarëve dhe shtetit; dhe i bën një pyetje të pakëndshme Bashkimit Europian mbi ndërlidhjen midis zgjerimit, stabilitetit dhe kërkesave demokratike.
Nga Olivier Arendt – RTBF -Përgatiti në shqip Zoom.al
Ajo që në fillim ishte vetëm një kundërshtim ndaj projekteve të komplekseve turistike luksoze në zona natyrore të mbrojtura, gradualisht u shndërrua në një protestë të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në fillim të vitit 2026, projekti zgjoi një kundërshtim të ashpër nga 41 organizata mjedisore nga 28 vende, të cilat i bënin thirrje qeverisë të pezullonte menjëherë projektin e ndërtimit të këtij kompleksi hotelor luksoz.
Ato përmendin rrezikimin e biodiversitetit të rëndësishëm të rajonit. Edhe pse këto grupe nuk mund t’i japin fund ligjërisht statusit të “investitorit strategjik” të akorduar nga qeveria, letra e tyre e përbashkët kërkon një moratorium të menjëhershëm derisa të kryhet një vlerësim i rreptë dhe transparent i ndikimit në mjedis.
“Lëvizja filloi si një protestë mjedisore kundër ndërtimeve në ekosistemin e mbrojtur të rajonit të Vjosës në Shqipëri”, kujton Florent Marciacq, kërkues i asociuar në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IFRI) dhe Bashkëdrejtues i Observatorit të Ballkanit.
Shkaktari i menjëhershëm ishte një projekt imobiliar i udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, përpara se projekte të tjera të lidhura me Ivanka Trump ose me investitorë të afërt me pushtetin të vinin për të ushqyer zemërimin.
Shumë shpejt, kërkesat e popullsisë shqiptare kapërcyen vetëm mbrojtjen e zonave natyrore. “Ajo u kthye në një lëvizje të madhe qytetare që lidhet me korrupsionin, transparencën dhe përgjegjshmërinë demokratike”, nënvizon Florent Marciacq.
Flamingoja si emblemë
Flamingoja, specie emblematike e lagunës së Vjosa-Nartës, është bërë simboli i këtij mobilizimi, i dukshëm në pankarta, kostume gjigante apo afreske që dënojnë betonizimin e zonave të mbrojtura.
Por ky “revolucion i flamingove” tashmë e kalon gjerësisht mbrojtjen e një specieje apo të një peizazhi: ai kristalizon një vënie në pikëpyetje më të përgjithshme të një urdhri politik dhe ekonomik që shumë shqiptarë e lidhin me ndikimin oligarkik, privatizimin progresiv të pronave publike dhe një shkallë të ulët të “llogaridhënies” së udhëheqësve.
Për Florent Marciacq, lëvizja prek diçka më të thellë: “Sot, nuk bëhet fjalë thjesht për flamingot, por më tepër për marrëdhënien midis qytetarëve dhe shtetit që po vihet në pikëpyetje, me çështjet e integrimit europian në prapavijë”.
Përgjatë javëve, kolonat e protestuesve janë rritur në Tiranë, kryeqytetin e vendit, dhe në qytete të tjera. Manifestuesit kërkojnë jo vetëm ndalimin e projekteve të turizmit të luksit në zonat e mbrojtura, por edhe dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës.
Në dëshmi, ankesat lidhen aq sa me rritjen e menjëhershme të kostos së jetesës, dobësinë e pagave dhe pensioneve, po aq edhe me mosfunksionimet e sistemit të shëndetësisë apo ndjenjën e braktisjes së një rinie që sheh emigrimin si horizontin e vetëm.
Konteksti ekonomik i kohëve të fundit në Shqipëri shpjegon pjesërisht këto tensione. “Shqipëria ka pasur një boom të madh zhvillimi”, kujton Florent Marciacq, por ky boom “u lehtësua nga mungesa e qartësisë në fushën e shtetit të së drejtës dhe mangësitë në çështjet e të drejtave të pronësisë”.
Sipas tij, vendi “u zhvillua shumë shpejt në duart e disa oligarkëve, ndonjëherë me lidhje me krimin e organizuar, shumë pastrim parash, korrupsion”. Është kjo asimetri në zhvillim, e cila i ka shërbyer kryesisht disa elitave, atë që mobilizimi po vë në pikëpyetje sot.
Përgjigja e pushtetit ka qenë si politike ashtu edhe gjyqësore. Edi Rama ka shumëfishuar deklaratat tallëse ndaj manifestuesve, duke shkuar deri aty sa t’i ftojë “të shkojnë në dreq” në një intervistë për Financial Times, siç kanë raportuar disa media (shprehja ishte “fuck you – shënim i Zoom.al). Në terren, të paktën një qind manifestues janë marrë nën hetim që nga fillimi i qershorit, për “bllokim të qarkullimit”, “prishje të rendit publik” ose “organizim dhe pjesëmarrje në manifestime të paligjshme”.
OJQ-të shqiptare dhe ndërkombëtare dënojnë gjithashtu një kriminalizim në rritje të protestës, aty ku qeveria kërkon ruajtjen e rendit.
“Revolucioni i flamingove” ka kaluar gjithashtu kufijtë. Në Bruksel, rreth një qind persona u mblodhën së fundmi në sheshin Poelaert, me thirrjen e kolektivit “Brukseli pranë Tiranës”, për të shprehur solidaritetin e tyre me lëvizjen qytetare shqiptare.
Pjesëmarrësit dënuan aty projektet imobiliare dhe turistike të konsideruara kërcënuese për zonat natyrore të mbrojtura, duke mbajtur pankarta “Shqipëria nuk është në shitje” ose “Stop betonizimit të zonave të mbrojtura”, si dhe parulla në shqip si “Rama ik”.
Ata kërkojnë ndalimin e punimeve në disa zona të ndjeshme, shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe u bëjnë thirrje autoriteteve belge dhe europiane të kushtëzojnë anëtarësimin e Shqipërisë me respektimin e shtetit të së drejtës dhe të biodiversitetit. Dhe kjo në një moment kur vendi konsiderohet gjerësisht si një nga kandidatët më të avancuar në procesin e një zgjerimi të ardhshëm të Bashkimit Europian.
Ky dimension europian është qendror për Florent Marciacq. Ai vlerëson se lëvizja i bën “një pyetje të pakëndshme” Bashkimit Europian: “A mundet që përparimet në procesin e anëtarësimit të bashkëjetojnë me shqetësimet që lidhen me hapat pas në demokraci dhe këto rrjete korrupsioni?”
Sipas kërkuesit, Bashkimi Europian ndodhet përpara një ushtrimi ekuilibri delikat: “Ajo dëshiron nga njëra anë të ruajë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me një Shqipëri që është zhvilluar ekonomikisht dhe që shënon një formë stabiliteti, por kuptohet gjithashtu se zgjerimi bazohet mbi kriteret demokratike”.
“Qytetarët vlenë po aq sa qeveritë. Ky është dilema me të cilën përballet Bashkimi Europian”, përmbledh kërkuesi.
Për manifestuesit, betejë rreth Sazanit dhe Vjosa-Nartës nuk është pra thjesht një luftë për zogjtë dhe lagunat: është gjithashtu një test për të ardhmen e demokracisë shqiptare dhe për besueshmërinë e angazhimit europian në favor të shtetit të së drejtës.