Aplikacion
Publikimi i dosjeve të fundit mbi Jeffrey Epstein, financierin e vdekur amerikan të akuzuar për trafikim dhe abuzim seksual të të miturve, ka shkaktuar një valë reagimesh ndërkombëtare dhe ka rikthyer vëmendjen mbi rrjetin e tij të kontakteve me figura të fuqishme botërore.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së përfshijnë mbi tre milionë faqe me raporte, imazhe dhe video, të cilat hedhin dritë mbi hetimet e mëparshme dhe lidhjet e Epstein-it me njerëz të njohur nga bota e biznesit, politikës dhe shoubizit.
Dokumentet përmbajnë komunikime, kontrata financiare, raporte hetimore dhe dëshmi nga viktimat, si dhe zbulojnë kontakte të shumta sociale dhe biznesi midis Epstein dhe figurave të njohura. Megjithatë, prezenca e një emri në dosje nuk nënkupton fajësi apo akuza penale, por shpesh lidhet me hetime paraprake ose pjesëmarrje në evente publike.
Zbulimi i lidhjeve të Epstein me emra të rëndësishëm të botës së medias, biznesit e politikës kanë tronditur disa themele.
Bill Gates del si një nga personazhet që e ka shijuar lidhjen e tij me Epstein, deri në momentin që ai mori një infeksion seksual nga marrëdhëniet e shfrenuara në ishullin e pedofilit.

Foto të shumta të ish-presidentit Bill Clinton gjenden në dosjen e publikuar, por është e paqartë aktivtieti i tij me Epstein. Clintonët, Hillary dhe Bill, kanë rënë dakord të dëshmojnë për këtë çështje.

Qeveria britanike po përballet me një krizë, pasi Peter Mandelson, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA, dhe ish-komisioner i KE-së, doli të ishte një nga fanatikët e festave të Epstein. Në dosje gjenden dhe foto të tij gjysmë të zhveshur, i shoqëruar me vajza të paidentifikuara.

Ish-princi i kurorës, Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i mbretit Charles, del si një shok i ngushtë i pedofilit të ndjerë, që i kushtoi atij edhe titujt mbretërorë. Andrew akuzohet dhe për abuzim me të mitur, si miku i tij, Epstein.
Në Norvegji, autoritetet kanë nisur një hetim të pavarur ndaj ish‑kryeministrit Thorbjorn Jagland, nën dyshimin për korrupsion dhe favore të dyshimta lidhur me kontaktet e tij me Epstein.
Gjithashtu, emrat e Princeshës Mette‑Marit, kreut të World Economic Forum Borge Brende dhe zyrtarëve të tjerë norvegjezë janë bërë objekt shqyrtimi nga organe të drejtësisë, pasi dokumentet e dosjes tregojnë kontakte të vazhdueshme me Epstein edhe pas dënimit të tij të parë.
Dokumentet janë publikuar zyrtarisht nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, përfshirë mijëra faqe, video dhe foto, nën një ligj federal që kërkon transparencë mbi hetimet e Epstein. Publikimi përmban prova të hetimeve dhe komunikimeve që lidhen me kontaktet sociale dhe financiare të Epstein. Megjithatë, prezenca e një emri në dokumente nuk nënkupton fajësi apo akuza penale kundër atij personi, pasi përmendjet mund të jenë pjesë e hetimeve, raporteve apo debatit publik që nuk rezulton në prova.
Disa dokumente përmbajnë pretendime të paverifikuara ndaj figurave të njohura për akuza serioze që nuk janë ndjekur penalisht apo konfirmuar nga hetimet e drejtësisë. Akuzat për përfshirje të shërbimeve inteligjente ose teoritë që Epstein drejtonte operacione të mëdha sekrete nuk janë verifikuar nga burime zyrtare dhe mbeten spekulative.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij më 10 gusht 2019, në Qendrën Korrektuese Metropolitane në New York, ku mbahej i arrestuar për akuza federale për trafikim seksual dhe komplot, në pritje të gjyqit.
Raporti 23-faqësh i FBI-së, i titulluar “Hetimi për vdekjen e Jeffrey Epstein”, mban shënimin “i paklasifikuar” në çdo faqe.
Dokumentet e pareduktuara përfshijnë fotografi nga afër të qafës së Epstein-it, ku dallohen shenja dëmtimi, si dhe detaje nga autopsia dhe një raport psikologjik mbi gjendjen e tij mendore në ditët para vdekjes.
Disa imazhe tregojnë Epstein-in të shtrirë në barelë, ndërsa mjekët përpiqen ta reanimojnë, rreth 16 minuta pasi ai u gjet pa ndjenja në qelinë e tij.
Sipas dokumenteve, Epstein ishte vendosur më herët nën vëzhgim për vetëvrasje, pasi kishte tentuar t’i jepte fund jetës më 23 korrik 2019.


