zoom

Bota

Bill Gates pranon aferat, por mohon përfshirjen në krimet e Epsteinit

Bill Gates pranon aferat, por mohon përfshirjen në krimet e Epsteinit

Bashkëthemeluesi i Microsof-it, miliarderi amerikan, Bill Gates deklaroi se lidhjet e tij me autorin e dënuar të krimeve seksuale, Jeffrey Epstein ishin një gabim i madh, duke pranuar para anëtarëve të fondacionit të tij se kishte afera jashtëmartesore me dy gra ruse, por duke mohuar çdo përfshirje në krimet e financierit amerikan.

“Ishte një gabim i madh të kaloja kohë me Epsteinin dhe të ftoja drejtuesit e fondacionit ‘Gates’ në takime me të”, u tha dje ai anëtarëve të fondacionit, sipas një regjistrimi audio të marrë nga ”The Wall Street Journal”.

“U kërkoj falje njerëzve që ishin të përfshirë në këtë për shkak të gabimit që bëra”, shtoi ai, duke iu referuar financierit amerikan i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuzat për krime seksuale ndaj të miturve.

Një draft emaili nga Jeffrey Epstein, i publikuar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së si pjesë e masës së dokumenteve nga çështja Epstein, aludon në lidhjet jashtëmartesore të Bill Gates.

Në këtë mesazh, i cili nuk duket se është dërguar, Jeffrey Epstein mburrej, ndër të tjera, se kishte ndihmuar “Bill”-in të merrte ilaçe për të “lehtësuar pasojat e marrëdhënieve seksuale me vajza ruse”.

Vetëm përmendja e emrit të një personi në çështjen Epstein nuk nënkupton domosdoshmërisht ndonjë keqbërje.

Por, këto dokumente të paktën zbulojnë lidhje midis shkelësit të dënuar seksual ose bashkëpunëtorëve të tij dhe figurave të caktuara që shpesh e kanë minimizuar ose madje e kanë mohuar ekzistencën e marrëdhënieve të tilla.

“Kam pasur afera jashtëmartesore, një me një lojtare ruse brixhi, që e takova në një aktivitet brixhi, dhe një tjetër me një fizikante bërthamore ruse, që e takova përmes aktiviteteve të mia profesionale”, pranoi të martën bashkëthemeluesi i Microsoft.

“Nuk bëra asgjë të paligjshme. Nuk pashë asgjë të paligjshme”, sqaroi ai.

Ai gjithashtu konfirmoi se gruaja e tij e atëhershme, Melinda kishte shprehur shqetësime në lidhje me Jeffrey Epstein në vitin 2013, por se ai vazhdoi ta takonte atë për të paktën një vit.

“Bill foli sinqerisht, iu përgjigj disa pyetjeve në detaje dhe mori përgjegjësinë për veprimet e tij”, deklaroi fondacioni në një njoftim për shtyp.

Postime të lidhura