Aplikacion
Debati mbi transparencën e dokumenteve që lidhen me hetimin e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein është rikthyer në qendër të politikës amerikane, pasi demokratët kanë akuzuar Departmantin e Drejtësisë për mbajtjen të mbyllur të disa materialeve që, sipas tyre, përmbajnë pretendime ndaj presidentit Donald Trump.
Akuza është artikuluar nga Robert Garcia, anëtar demokrat në Komitetin e Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai ka deklaruar se ka shqyrtuar dokumente që përmbajnë pretendime të papublikuara më parë dhe ka kërkuar që ato të bëhen publike për hir të transparencës.
Në reagimin zyrtar, Departamenti i Drejtësisë ka mohuar të ketë fshirë apo fshehur dokumente, duke theksuar se materialet mbahen të klasifikuara vetëm kur përfshijnë informacione të mbrojtura ose hetime që janë ende në proces. Sipas institucionit, çdo pretendim për manipulim të dosjeve është i pabazuar.
Nga ana tjetër, Trump ka mohuar çdo shkelje ligjore në lidhje me Epstein, duke deklaruar se nuk ka asnjë përgjegjësi në këtë çështje. Edhe Shtëpia e Bardhë ka theksuar se presidenti ka bashkëpunuar me autoritetet dhe ka mbështetur publikimin e dokumenteve në përputhje me ligjin.
Raportime mediatike sugjerojnë se disa intervista të zhvilluara nga FBI me një viktimë të dyshuar nuk janë përfshirë në dokumentet e publikuara deri më tani. Pretendimet e përmendura në to janë cilësuar si të pabazuara, por situata ka nxitur përplasje të forta politike mes palëve.
Garcia i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Prokurores së Përgjithshme, duke kërkuar zbardhje të plotë të dokumentacionit. Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë ka akuzuar demokratët për politizim të çështjes dhe përhapje informacioni të pasaktë./ Zoom.al