Aplikacion
Emri i modeles shqiptare Misse Beqiri është rikthyer në vëmendjen mediatike ndërkombëtare, jo vetëm për angazhimin e saj në sezonin e ri të reality-show-t Ladies of London: The New Reign, por edhe për shkak të përmendjes së saj në dokumente që lidhen me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve të mediave britanike, emri i modeles 39-vjeçare shfaqet në dokumente të publikuara së fundmi, të cilat i referohen një takimi të zhvilluar në vitin 2011 me Epstein. Ky i fundit, vite më vonë, u përball me akuza të rënda për trafikim dhe shfrytëzim seksual.

Një burim pranë Beqirit ka deklaruar se përmendja e emrit të saj në këto dokumente ka qenë “një tronditje e plotë”. Sipas tij, ajo ishte shumë e re në atë periudhë dhe nuk kishte dijeni për të kaluarën kriminale të Epstein. Burimi thekson se mes tyre nuk ka ndodhur asgjë e papërshtatshme dhe se arsyeja e takimit lidhej me premtime për kontrata modelingu.
Takimi i parë thuhet se ka ndodhur në rezidencën e Epstein në Manhattan, vetëm pak muaj pasi ai kishte përfunduar një dënim me burg dhe arrest shtëpie lidhur me çështjen e vitit 2008. Raportimet pretendojnë se Epstein kishte shfaqur interes të veçantë për modelen shqiptare, duke i ofruar udhëtim me avion privat në Paris për një sfilatë mode dhe madje edhe një automjet luksoz Mercedes, vlera e të cilit arrinte deri në 100 mijë paund. Megjithatë, sipas burimeve pranë saj, Beqiri nuk kishte dijeni për dënimin e tij në atë kohë.
Misse Beqiri u bë e njohur gjerësisht edhe si bashkëshortja e ish-portierit të Manchester United, Anders Lindegaard. Ata u martuan dhe u bënë prindër të një djali, Julian, përpara se të ndaheshin në vitin 2016.
Një nga momentet më dramatike në jetën e saj mbetet vrasja e vëllait, Flamur Beqiri, i cili u qëllua për vdekje jashtë banesës së tij në Battersea, në prag të Krishtlindjeve të vitit 2019. Gjykata britanike konstatoi se ai ishte i përfshirë në krim të organizuar./ Zoom.al