zoom

Lajme

Spiropali sfidë Ramës, dorëzon mocion në Asamblenë e PS

Spiropali sfidë Ramës, dorëzon mocion në Asamblenë e PS

Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka njoftuar se i ka paraqitur Asamblesë Kombëtare të PS një mocion, përmes të cilit kërkon nisjen e një debati të gjerë mbi atë që e cilëson si një “marrëveshje të re për Shqipërinë”.

Në një deklaratë për mediat para seancës parlamentare, Spiropali tha se me dorëzimin e mocionit ka përmbushur angazhimin që kishte marrë më herët, duke theksuar se nisma nuk është personale, por synon të përfshijë të gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste dhe opinionin publik.

“E mbajta premtimin sot, sapo e dorëzova në Asamblenë Kombëtare të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument i imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS”, deklaroi Spiropali.

Sipas saj, dokumenti i është dërguar kryetarit të Partisë Socialiste, Asamblesë Kombëtare dhe çdo anëtari të forcës politike, ndërsa do të bëhet publik edhe për qytetarët.

Spiropali theksoi se vendi ka nevojë për një vizion të ri, i cili nuk mund të ndërtohet nga një numër i kufizuar njerëzish, por duhet të jetë rezultat i një procesi gjithëpërfshirës.

“Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund ta hartojnë një, dy apo dhjetë individë. Ajo duhet të shprehë vullnetin e shumicës së anëtarësisë dhe të gjithë shoqërisë, e cila sot kërkon më shumë demokraci, drejtësi shoqërore, zhvillim dhe një raport më të drejtë mes shtetit dhe qytetarëve. Të rinjtë janë ata që kërkojnë më shumë ndryshim dhe ne duhet t’u përgjigjemi këtyre pritshmërive”, u shpreh ajo.

Deputetja socialiste hodhi poshtë zërat se kjo nismë lidhet me krijimin e një fraksioni brenda PS, duke theksuar se qëllimi është forcimi i dialogut dhe bashkimi i energjive politike.

“Kjo nuk është një përpjekje për ndarje apo përçarje. Synimi është të bashkohen energjitë progresiste të Partisë Socialiste dhe të shoqërisë. Qytetarët duhet të dëgjohen me përulësi dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje përmes institucioneve. Edhe drejtësia është pjesë e këtij diskutimi, pasi pavarësia e saj mbetet një nga arritjet më të rëndësishme”, deklaroi Spiropali.

Postime të lidhura