Aplikacion
Kompania Air Albania, e themeluar më 2018 me pjesëmarrjen e Turkish Airlines (49%), MDN Investment të biznesmenit Sinan Idrizi (41%) dhe ALBCONTROL (10%), ka 6 vite që nuk dorëzon pasqyrat financiare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në ekstraktin zyrtar të QKB-së, kompania është shënuar me flamur të kuq, me shpjegimin se “subjekti nuk ka depozituar pasqyrat financiare vjetore raportuese, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme”.

Ligji nr. 9723, datë 03.05.2007 “Për Regjistrimin e Biznesit” përcakton se çdo subjekt është i detyruar të depozitojë bilancet jo më vonë se 7 muaj pas mbylljes së vitit financiar. Mospërmbushja e këtij detyrimi është kundërvajtje administrative që ndëshkohet me gjobë.
Megjithatë, pavarësisht shkeljes, autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë ndaj Air Albania. Kjo heshtje institucionale ushqen dyshimet se mosdeklarimi i bilanceve nuk është thjesht neglizhencë, por një përpjekje për të fshehur borxhet dhe mënyrën si përdoren asetet e kompanisë.
Sipas ligjit, nëse kompania nuk i deklaron bilancet as pas gjobës, asaj i hiqet mundësia për të kryer veprime
“Subjektet që nuk kanë depozituar pasqyrat nuk mund të kryejnë ndryshime statutore apo veprime të tjera ligjore në QKB, derisa të kenë përmbushur detyrimin” – saktësohet në ligj.
Bilanci i fundit i publikuar nga Air Albania është ai i vitit 2018, ku raportoheshin 12.2 milionë lekë humbje neto. Pas këtij viti, asnjë shifër nuk u bë më publike në Shqipëri.
Por dokumentet e Turkish Airlines, aksionere në kompani, nxjerrin në dritë atë se çfarë po ndodh me kompaninë ajrore që mban flamurin shqiptar. Sipas tyre, deri në shtator 2023, borxhet afatshkurtra të Air Albania kapnin shifrën 33 milionë dollarë, duke u rritur me 7 milionë krahasuar me një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, raportoheshin edhe humbje prej mbi 300 mijë dollarësh.
Zoom.al ka raportuar gjithashtu detyrime prej 18 milionë eurosh ndaj institucioneve shqiptare për tarifa aeroportuale, kufitare, doganore dhe mjedisore të papaguara. Kjo tablo tregon se kompania është në buzë të falimentimit, pasi secili vit shton borxhe të reja.
Ka dyshime se kompania po favorizohet dhe po mbahet me çdo kusht në këmbë për shkak të një marrëveshje që ajo ka me autoritetet shqiptare për dhënien e një avioni në përdorim kryeministrit Edi Rama. Bëhet fjalë për avionin Airbus A319, të cilit i është vënë emri “Ismaili”. Zoom.al zbuloi vite më parë skandalin që ky avion po përdorej ekskluzivisht nga kryeministri Edi Rama për udhëtime zyrtare e private.
Dokumentet shtetërore të vjedhura nga hakerat iranianë zbuluan se Rama kishte udhëtuar me këtë avion afro150 herë, me një kosto që shkon mbi 20 milionë euro, sipas përllogaritjeve të opozitës. Një orë fluturimi e “Ismailit” llogaritet rreth 15 mijë dollarë, ndërsa avioni kërkon mirëmbajtje periodike të shtrenjtë në Turqi, Greqi e Hungari.

Por kush e ka paguar faturën e këtyre udhëtimeve dhe cila është marrëveshja që “Air Albania” ka me qeverinë shqiptare nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare? Zoom.al ka kërkuar vazhdimisht kontratën, por Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka refuzuar. Kjo kërkesë i është refuzuar edhe opozitës.
Asnjë institucion shtetëror nuk i tregon shpenzimet që ka bërë Rama me avionin “Ismaili”. As kompania “Air Albania” nuk i deklaron ato.
Nëse këto shpenzime janë mbuluar nga vetë “Air Albania”, atëherë kompania është përdorur për të financuar luksin e kryeministrit, duke rritur më tej humbjet dhe borxhet e saj. Në këtë skenar, aksioneri shqiptar Sinan Idrizi dhe partnerët turq po mbajnë peshën financiare të udhëtimeve të Ramës. Por në anën tjetër, mbajtja e kësaj peshe përbën një konflikt interesi dhe shton dyshimet se ata mund të kenë pasur përfitime të tjera nga qeveria.
Mosdorëzimi i bilanceve, borxhet e mëdha dhe përdorimi i avionit “Ismaili” nga Rama lidhen me dyshimin për një falimentim të qëllimshëm të “Air Albania” për të mbuluar borxhet dhe skandalin e përdorimit të këtij avioni nga Rama, një avion që e kanë pak kryeministra në Europë.
Nëse kompania shpallet falimentin ajo shmang detyrimet e shumta ndaj shtetit dhe kreditorëve. Në këtë mënyrë, jo vetëm që fshihen borxhet e akumuluara nga “Air Albania”, por edhe detyrimet e qeverisë shqiptare ndaj saj si aksionere 10%.
Ka dyshime se kjo se po përdoret për të mbuluar humbjet nga udhëtimet luksoze të kryeministrit me avionin “charter” dhe për të shmangur çdo transparencë mbi financat reale të kompanisë.
Në këto kushte, falimentimi i kompanisë do të shërbejë si varkë shpëritmi për aksionerët dhe kryeministrin, ndërsa kompania do të lërë pas borxhe të mëdha. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin