Aplikacion
Në pamjet e fundit të publikuara në faqen e tij në Facebook, kryeministri Edi Rama shihet teksa zbret nga një avion i mbretërisë saudite, i pritur me ceremoni zyrtare nga autoritetet vendase në Riad.
Skena është e kuruar deri në detaj, tapet vjollcë, oficerë që përshëndesin, kamera në disa kënde, mikpritje mbretërore. Një tablo e përkryer për t’u shpërndarë në rrjetet sociale dhe për të ushqyer mitin e liderit që pritet si burrështetas i madh në botën arabe.
Por pas këtij imazhi të ndërtuar me kujdes fshihet një paradoks që opozita shqiptare, nëse do të ishte serioze, do ta kishte kthyer në kauzë kryesore. Ky paradoks ka të bëjë me mënyrën se si Edi Rama udhëton, me kë dhe kush ia paguan udhëtimet prej sheiku.

Kur udhëton me avionë të huaj, ata që ia paguajnë vendet mikpritëse, kryesisht ato të botës arabe, Rama i ekspozon me krenari avionët. Kamera zyrtare janë aty, si në këtë rast, për të treguar statusin ndërkombëtar që ai ka. Por sa herë përdor avionin “Ismaili” të Air Albania të biznesmenit kontrovers Sinan Idrizi, për udhëtime personale apo zyrtare, apo kur përdor avionë “të paguar nga korrupsioni”, siç thotë opozita, Rama zhduket nga çdo radar publik, kamerat nuk ekzistojnë, ndërsa stafi kujdeset që të mos rrjedhë as edhe një foto e vetme.
Në çdo vend normal, vetëm mënyra se si udhëton një kryeministër do të ishte objekt kontrolli parlamentar. Kostoja e udhëtimeve, kontratat e avionëve privatë, marrëdhëniet me bizneset që përfitojnë nga qeveria janë çështje që në çdo demokraci perëndimore mjaftojnë për të rrëzuar një qeveri. Në Shqipëri, janë bërë rutinë të padukshme. Disa shkrime të njëpasnjëshme të Zoom.al zbuluan luksin me të cilin fluturonte Rama me “Ismailin”, që e kishte shndërruar si një taksi private.
Hakrat iranianë zbuluan më vonë se ai kishte bërë 134 fluturime në 3 vjet. Kostoja e përllogaritur sipas opozitës ishte 23 milionë euro, ku çdo orë fluturim kushtonte mes 11 mijë dhe 15 mijë eurove.

Qeveria dhe Drejtoria e Shërbimeve Shtetërore nuk kanë pranuar t’i bëjnë publike as kontratat e as shpenzimet e Ramës me Ismailin.
Përballë luksit prej sheiku qëndron një opozitë që nuk sheh.
Në vend që të merrej me kauza të vërteta të llogaridhënies, opozita përfshihet në debate periferike dhe akuza të stërlodhura në një kohë kur një hetim i thellë parlamentar vetëm mbi udhëtimet e Edi Ramës, kush i financon, sa kushtojnë dhe pse mbahen sekret do të mjaftonte për ta rrëzuar nga pushteti.
Sot në Kuvend, kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi për punën e institucionit. Por ajo që duhej t’i kërkonte opozita nuk ishte as për dosje të mëdha, as për hetime abstrakte mbi korrupsionin. Pyetja e vetme që duhej t’i bëhej ishte:
“A do të hetoni udhëtimet e Edi Ramës me avionin e Sinan Idrizit?”
Sepse aty ndodhet filli i një historie që shpjegon gjithçka për mënyrën se si funksionon pushteti në Shqipëri. Aty opozita do t’u tregonte shqiptarëve se në ç’luks prej sheiku jeton kryeministri i tyre, që e shet si heroizëm kur u rrit pensionet 7 euro në muaj pensionistëve, 1 herë në 7 vjet. /Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin