Aplikacion
Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence mbi gjendjen financiare të Air Albania.
Zëvendësja e Departamentit të Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se kompania, që u shpall nga kryeministri si “krenaria kombëtare”, po përballet me detyrime të mëdha dhe ka mbyllur linjën Tiranë–Lubjanë vetëm dy muaj pas hapjes.

Sipas Vangjelit, Air Albania ka publikuar vetëm bilancin e vitit 2018 dhe prej atëherë nuk ka dhënë asnjë të dhënë financiare. Ajo përmendi gjithashtu marrëveshjen e kompanisë me qeverinë për fluturime charter për kryeministrin, duke theksuar se kërkesa e opozitës për një komision hetimor u refuzua nga mazhoranca.
Deklarata e plotë:
Më 20 Qershor Air Albania e shpallur nga KM Edi Rama si ‘krenaria kombëtare’ njoftoi nisjen e fluturimeve direkte mes Tiranës dhe Lubjanës, duke rilidhur Shqipërinë dhe Slloveninë pas disa vitesh.
Por dy muaj më pas, më 20 Gusht, mediat Sllovene informuan publikun se kompania i anuloi planet për këtë linjë për shkak të vështirësive financiare.
Dhe kjo nuk është aspak çudi.
Air Albania, themeluar në vitin 2018 me 10% pronësi shtetërore përmes Albcontrol ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e saj për vitin e parë të operimit (2018), më pas asnjë publikim lidhur me pasqyrat financiare të kësaj shoqërie.
Mungojnë gjithashtu të dhëna për vendime gjyqësore dhe njoftime zyrtare nga përmbarues privatë për detyrimin miliona euro të Air Albania kundrejt palëve të treta.
Kjo fshehje ngre dyshime për krizën e thellë financiare të kompanisë.
Ndërkohë, që prej 2020-s, Air Albania ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Qeveritare për ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posaçme charter për KM e RSH.
Opozita ka kërkuar transparencë dhe një komision hetimor për udhëtimet e Kryeministrit me charter, por kjo u rrëzua nga mazhoranca.
Sot kërkojmë që Kryeministri dhe kompania të japin përgjigje: a po shkon drejt falimentimit ‘krenaria kombëtare’ për shkak të shpenzimeve të papërballueshme që vijnë nga udhëtimet charter të Edi Ramës?/ Zoom.al
Homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti, Aurela Gaçe me lot në sy: Do e mbaj premtimin