zoom

In Zoom

30 mijë euro për një udhëtim në Shkup. A e dini se cili politikan i shpenzoi?

Për të shkuar deri në Shkup një qytetar nga Tirana paguan deri në 70 euro karburant. Bashkë me kthimin në Tiranë fatura nuk shkon më shumë se 150, duke përllogaritur këtu që udhëtimi të bëhet me një makinë luksoze. Janë rreth 550 kilometër vajtje – ardhje.

Me çmimin e karburantit që mbetet më i larti në rajon, shpenzimi duket i konsiderueshëm për një familje mesatare shqiptare.

Por a dini se sa ka shpenzuar kryeministri i Shqipërisë për udhëtimin e tij të sotëm për të marrë pjesë në mbledhjen e dy qeverive?

Janë plot 30 mijë euro! Avioni i tij “Ismaili”, një Airbus A319-100 ACJ, harxhon afro 15 mijë euro në orë për çdo fluturim (Zoom.al i ka bërë përllogaritjet përmes kompanive të specializuara – LEXO KËTU). Një fluturim Tiranë – Shkup zgjat afro 1 orë.

Kryeministrit i është dashur kështu të shpenzojë rreth 30 mijë euro vetëm për fluturimin.

Sikur ai të kishte zgjedhur rrugën tokësore, do t’i kishte kursyer buxhetit të shtetit 29,850 euro. Po të llogarisimi edhe delegacionin, nëse qeveria do të kishte udhëtuar me 10 autovetura, do të kishte shpenzuar 1,500 euro dhe do t’i kursente plot buxhetit 28,500 euro.

Nuk është ende e qartë se kush i paguan këto shpenzime. Kryeministria nuk pranon të japë informacione. As Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare që ka bërë kontratën për avionin “Ismaili” nuk pranon të tregojë faturat.

Për këtë arsye opozita ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar. Sipas kryetarit të PD, Sali Berisha, Rama ka shpenzuar mbi 22 milionë euro me avionin charter.

Hakerat iranianë që sulmuan sistemet shqiptare online zbuluan se Rama kishte udhëtuar 134 herë me avionin e tij charter. (LEXO KËTU).

Opozita do të kërkojnë përmes Komisionit Hetimor Parlamentar (LEXO KËTU) jo vetëm se kush i paguan faturat e Ramës dhe sa janë ato, por edhe mënyrën se si avioni përfundoi nga qeveria turke në qeverinë shqiptare.

Sipas opozitës, dyshimet bien mbi një prej aksionereëve të “Air Albania”. Kompania zotërohet nga Turkish Airlines, Aviacioni Civil Shqiptar dhe biznesmeni kontrovers nga Vlora, Sinan Idrizi.

“Air Albania” nuk i ka dorëzuar ende bilancet në QKB dhe shkak dyshohet se është e përfshirja në këtë aferë e saj nëpërmjet biznesmenit vlonjat. /Zoom.al