zoom

Aktualitet

EKSKLUZIVE/ Kallëzohet në SPAK marrëveshja për Marinën e Durrësit

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë offshore të biznesmenit arab Mohammed Alabbar për ndërtimin e “Marinës së Durrësit” ka përfunduar në SPAK.

Zoom.al mëson se deputetët demokratë të grupimit Berisha – Bardhi i janë drejtuar sot Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit me një dosje me fakte kompromentuese mbi projektin me vlerë 2.2 miliardë dollarë që përfshin ndërtimin e disa pallateve, hoteleve dhe një porti turistik në 800 mijë metër katrorë tokë shtetërore, në vendin ku sot ngrihet Porti i Durrësit.

Nuk është ende e qartë se çfarë faktesh përmban dosja e dorëzuar, por disa burime thanë për Zoom.al se deputetët demokratë prentendojnë se kanë gjetur shkelje të zyrtarëve që kanë firmosur dokumentet për marrëveshjen e shumëdiskutuar, drejtues e punonjës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Portit të Durrësit.

Partia Demokratike i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar marrëveshjen. Kërkesa e parë e tyre u rrëzua, pasi ajo u dorëzua ende pa u miratuar marrëveshja në parlament.

Por demokratët nuk janë mjaftuar vetëm me Gjykatën Kushtetuese. Ata i kanë vënë prokurorëve të SPAK-ut në tavolinë prova që sipas tyre tregojnë se marrëveshja është bërë në dëm të shtetit shqiptar dhe në shkelje të ligjeve.

Disa media, përfshirë Zoom.al, (ndonëse të pakta në numër) kanë hedhur hije dyshimi mbi marrëveshjen për Marinë e Durrësit, si për faktin se projekti u dha pa garë, ashtu edhe për shkak të shqetësimeve se ajo lë hapësira për pastrimin e parave të pista.

Kompania “Eagle Hills” e Alabbar ka premtuar se do të investojë 2.2 milionë dollarë, por në kontratë asaj i është kërkuar që të ketë vetëm 180 milionë dollarë. Se si do e sigurojë ajo pjesën tjetër të parave, kjo mbetet e paqartë.

Në përpjekje për të gjetur paratë, kompania e Alabbar ka nisur të shesë apartamente ende pa nisur punimet për pallatet, ndërsa ekspertët thonë se projekti do të duhet të paktën 10 vjet për të përfunduar. /Zoom.al