zoom

In Zoom

SKEMA OFFSHORE/ Kush fshihet pas projektit 2.5 miliardë USD të Marinës së Durrësit?

Një sërë kompanish guacka (offshore), qindra veprimesh shkresore, dhjetëra firma e vula noteriale për shitje, blerje e transferime aksionesh kanë shërbyer për të ndërtuar një skemë të padëshifrueshme që ka penguar deri tani çdo përpjekje për të zbuluar se kush fshihet në të vërtetë pas projektit mbi 2.5 miliardë dollarë të ndërtimit të portit turistik të Durrësit, Durrës Yacht Marina.

Burime të besueshme të Zoom.al thanë se nëse dokumentet e kompanive offshore do të bëheshin publikë si në rastin e skandaleve të njohura si “Panama Papers” apo “Pandora Papers”, ato do të zbulonin se pas Durrës Yacht Marina qëndron sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe sundimtari i Abu Dabit.

Zoom.al nuk mundi t’i vërtetojë këto pretendime deri në publikimin e këtij shkrimi. Të zbulosh se kush janë pronarët e vërtetë të kompanive offshore është një mision thuajse i pamundur. Por fshehja e aksioneve në “Durrës Marina” është e dukshme.

DURRËS MARINA

E themeluar më 31 janar të vitit 2023 si shoqëri aksionere, Durrës Marina përbëhet nga dy kompani, të krijuara për të ndarë kuotat e përfitimeve mes shtetit shqiptar dhe investitorit arab, Mohamed Alabbar. Kompania shtetërore shqiptare “Albanian Seasports Development Company” zotëron 33 përqind të aksioneve dhe “Eagle Hills Real Estate Development” e Alabbar zotëron 67% të aksioneve.

  • I. ALBANIAN SEAPORTS DEVELOPMENT COMPANY. Ajo është një shoqëri aksionere e se drejtës shqiptare (shtetërore), themeluar me datë 27/07/2022 me seli qëndrore në Durrës, rruga Tregtare, Lagjja 1 dhe me administrator Erlis Hereni, një vartës i Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ortak i vetëm i shoqërisë është Autoriteti Portual Durrës, sipas të dhënave të Qendrës Kombetëtare të Biznesit.
  • II. Eagle Hills Real Estate Development, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e së drejtës shqiptare, themeluar me date 25/05/2021 me seli qendrore në Durrës, rruga Tregtare, Lagjja 1 dhe me administrator Mohamed Ali Rashed Alabbar. Ortak i vetem i shoqerise eshte shoqeria NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED.

Por guackat që shërbëjne për të fshehur aksionerët qëndrojnë pas NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED.

North East Real Estate Holdings Limited është një shoqëri tregtare e llojit “private e kufizuar nga aksionet” regjistruar ne Abu Dhabi në, Al Sila Tower. Ajo përfaqësohet nga Drejtori dhe përfaqesuesi i autorizuar Rashid Mohamed Ali Rashed Alabbar (i biri i Alabbar), shtetas i Emirateve të Bashkuara Arabe, lindur ne 1987, në Singapor, rezident ne Dubai.

Sipas Ekstraktit Historik të Regjistrit të Pronarit Përfitues, datë 06.10.2022, tërhequr nga QKB datë 16.11.2022, Pronarët përfitues të subjektit Eagle Hills Real Estate Development, zotërues të 25% te kapitalit e me tepër janë:

  • 1. Mohamed Ali Rashed Alabbar, i cili zotëron 40.18% të kapitalit;
  • 2. NORTH EAST REAL ESTATE HOLDING zotëron 100% të kapitalit tek Eagle Hills Real Estate Development (ish “Symphony Real Estate Development”).Data e përcaktimit si pronar përfitues është 22.06.2022.

Por si janë ndarë kuotat dhe si u transferuan ato tek këto kompani? Skema është zbërthyer nga Opencorporates.al në një raportim të detajuar.

Eagle Hills Real Estate Development më parë njihej me emrin Symphoy Invest Limited, ortak i vetëm i kompanisë tjetër offshore Symphony Real Estate Development.

Në 23.09.2019 Symphony Invest Limited ka 100 kuota të autorizuara dhe të emetuara me vlerë nominale 0.01 USD.

Në 23.09.2019 – 1 kuotë nënshkruhet nga nga shoqeria WNL Limited me adresë 190 Elgin Avenue George Town, Grand Cayman, Ishujt Cayman.

Më datë 23.09.2019 –1 kuotë nga WNL Limited trasnferohet te Mohamed Ali Rashed Alabbar (Al Mulla Villa, 442 Nad Al Sheeba PO Box 9421, Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe).

Më datë 23.09.2019 bëhet alokimi i 99 kuotave per Mohamed Ali Rashed Alabbar në përputhje me vendimin e datës 23.09.2019.

Më datë 24.01.2021 bëhet transferimi i 50 kotave nga Mohamed Ali Rashed Alabbar tek shoqeria EASTERN RE FUND LP (adresë Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, duke vepruar për ortakun e saj kryesor, EURE PARTNERS GP RSC LTD).

Më datë 24.01.2021 bëhet transferimi i 50 kuotave nga Mohamed Ali Rashed Alabbar tek shoqeria Symphony Global Holdings Limited (adrese: 2458, Level 24, Al Sila Tower Global Market Square, Al Maryah Island Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe).

Më datë 24.01.2021 bëhet Alokimi i 100 kuotave per Symphony Global Holdings Limited në perputhje me vendimin e dates 20.01.2021 dhe formen e aplikimit për kuotat e datës 16 dhjetor 2020.

Më datë 09.05.2021 bëhet alokimi i 150 kuotave per Symphony Global Holdings Limited në përputhje me rezolutën e datës 11.04.2021 dhe formularin e aplikimit të kuotave të datës 11.04.2021.

Totali i kuotave të mbajtura nga Symphony Global Holdings Limited mbetet 250.

Më datë 24.01.2021 bëhet Alokimi i 100 kuotave për Eastern Re Fund LP në perputhje me vendimin e datës 20.01.2021 dhe marrëveshjen e pajtimit të datës 16.12.2020.

Me datë 09.05.2021 bëhet alokimi i 150 kuota pjesemarrëse për Eastern RE Fund LP (duke vepruar për ortakun e saj kryesor EURE Partners GP RSC Ltd)

Totali i kuotave të mbajtura nga Eastern RE Fund LP (duke vepruar per ortakun e saj kryesor EURE Partners GP RSC Ltd) mbetet 250.

PARATË E PUSHTETARËVE NË KOMPANITË OFFSHORE

Në Durrës Yacht Marina janë afro 10 kompani të përfshira në shitje, blerje e transferime të kuotave dhe në asnjërën prej tyre nuk gjendet pronari përfitues me emër individi.

Një raport i Konsorciumit të Gazetarëve Hulmtues që zbuloi skandalet e Panama dhe Pandora Papers zbuloi se si qindra liderë botërorë, politikanë të fuqishëm, miliarderë, të famshëm, udhëheqës fetarë dhe tregtarë droge kanë fshehur investimet e tyre në pallate, prona ekskluzive buzë detit, jahte dhe asete të tjera për çerekshekullin e kaluar, sipas një rishikimi të afro 12 milionë dosjeve të marra nga 14 firma offshore të vendosura në mbarë botën.

Gjetjet e “Pandora Papers” hodhën dritë mbi marrëdhëniet e fshehura më parë të elitës dhe të korruptuarve, dhe se si ata kanë përdorur llogaritë në offshore për të mbrojtur asetet me vlerë kolektive triliona dollarë.

Më shumë se 330 politikanë dhe ish-politikë të identifikuar si përfitues të llogarive sekrete përfshijnë Mbretin Abdullah II të Jordanisë, ish-kryeministrin Kryeministri Tony Blair, Kryeministri i Republikës Çeke Andrej Babis, Presidenti Kenyan Uhuru Kenyatta, Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso dhe ish-bashkëpunëtorët e kryeministrit pakistanez Imran Khan dhe presidentit rus Vladimir Putin.

Miliarderët e përmendur në raport përfshijnë manjatin turk të ndërtimit Erman Ilicak dhe Robert T. Brockman, ish-CEO i prodhuesit të softuerëve Reynolds & Reynolds.

Sipas raportit, shumë nga llogaritë ishin krijuar për të shmangur taksat dhe për të fshehur pasuritë për arsye të tjera të dyshimta.

Rasti i Durrës Yaht Marina duket i ngjashëm, jo vetëm për nga skema e ndërtuar me bazë kompanitë guacka, por edhe nga vlerat e mëdha të parave që pritet të qarkullojnë dhe të përfundojnë në xhepat e personave me pushtet, pse jo edhe shqiptarë. Ish -zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj hodhi dyshime se pushtetarët më të lartë janë përfitues të parave të inceneratorëve pikërisht përmes krijimit të komapanive offshore. Por përballë inceneratorëve një aferë që përllogaritet në afro 500 milionë euro, kjo e Marinës së Durrësit është 5 më e madhe. /Zoom.al