zoom

In Zoom

Alabbar, nën hetim ndërkombëtar për terrorizëm? Dyshime se mund të braktisë Marinën e Durrësit

Ka kaluar 1 vit që kur mazhoranca socialiste miratoi më votat e saj marrëveshjen e shumëdiskutuar të Portit Turistik të Durrësit.

Marrëveshja parashikonte dhënien falas të 800 mijë metër katrorëve tokë shtetërore për të ndërtuar pallate, hotele dhe një port turistik jahtesh në vend të portit tregtar.

Mohamed Alabbar, një biznesmen i njohur arab, si një prej themeluesve të kompanisë AMAAR, premtoi të investonte 2 miliardë dollarë.

Po në Shqipëri ai zgjodhi të vinte me një kompani offshore. Kontratën me qeverinë shqiptare për portin e Durrësit nuk e nënshkroi me AMAAR por me “Eagle Hills”, të cilën ai e ka themeluar pak kohë më parë për projektin e Durrësit.

Në foto: Mohamed Alabbar

Në 1 vit nga nënshkrimi i kontratës në terren nuk ka ndodhur asgjë, përveç hapjes së zyrës së shitjes së apartamenteve që nuk kanë nisur ende.

Disa zyra të tjera janë hapur në Tiranë, ndërsa nëpër media të ndryshme elektronike shfaqen vazhdimisht reklama se si do të jetë “Durres Yacht Marina”, në një projekt 3D që synon të tërheqë sa më shumë blerës, të cilët janë edhe investitorët kryesorë, pasi “Eagle Hills” ka vetëm 180 milionë euro të depozituara.

Por teksa reklamat vijojnë të mbushin faqet e internetit dhe në terren nuk ka asgjë të dukshme, për Alabbar kanë nisur të dalin në sipërfaqe telashe me drejtësinë, çka duket se janë shndërruar në një tjetër pengesë të madhe për projektin që kryeministri Rama dhe Alabbar prezantuan me shumë pompozitet në prill të vitit 2021, pak para zgjedhjeve të përgjithshme.

Prill, 2021- Rama duke prezantuar projektin

Boban Bodganovic, Sekretar i Përgjithshëm i Institutit për Strategjinë Euro-Atlantike, shkruan se Alabbar është nën hetim ndërkombëtar për projektin që ai nisi që në vitin 2014 në Beograd, të njohur si “Belgrade Waterfront”.

Lajm i mirë për qytetarët e Serbisë. Një hetim ndërkombëtar është duke u zhvilluar kundër personave të mëposhtëm, kriminelëve, terroristëve dhe shtetarëve të disa vendeve duke përfshirë Serbinë, për lehtësim të financimit të terrorizmit nëpërmjet projektit “Beograde Waterfront”!

Në “Belgrade Waterfront” Alabbar premtoi se do të investonte 5.4 miliadrdë dollarë.

Por ndonëse punimet kanë nisur 9 vjet më parë “Belgrade Waterfront” është jo vetëm shumë larg nga përfundimi, por edhe larg projektit pompoz të shpallur nga Mohamed Alabbar dhe presidenti serb Aleksandër Vucic.

“Kulla madhështore i ka lëne vëndin disa pallateve. Ndërsa projekti nuk dihet ende se kur do të përfundojë”, shkruante 1 vit më parë revista Forbes.

Tani, institucionet ligjzbatuese ndërkombëtare kanë gjetur të dhëna se ky projekt mund të jetë përdorur për të financuar terrorizmin. Se cilat janë këto institucione, mbetet e paqartë, por një hetim tjetër ndërkombëtar po zhvillohet paralelisht kundër Alabbar.

Policia e New Dehlit, në Indi, kërkoi ta marrë në pyetje verën e këtij viti Alabbarin, për një hetim për mashtrim financiar me një projekt ndërtimi, të quajtur “Palm Green Project”.

Në thirrjen për Alabbar, të lëshuar më 26 maj, thuhej: “Është informuar se rasti (në lidhje me Projektin Palm Garden) po hetohet nga Seksioni IV i Krahut të Veprave Ekonomike të Policisë së New Dehlit”.

Ky rast është duke u hetuar kundër M/s EMAAR India Ltd, e njohur më parë si EMAAR MGF Land Limited dhe drejtorëve të saj për projektin e tyre të strehimit “Palm Garden” që ndodhet në fshatin Kherki Daula, Sektori 83, Gurugram.

Mediat në Indi shkruajnë se në njoftimin e policisë thuhet se Alabbar është thirrur në rolin e të akuzuarit.

Në mesin e këtyre telasheve të reja, disa media raportojnë se Alabbar ka nisur të shesë aksionet që ka në disa kompani, për t’u shpëtuar sanksioneve. Zoom.al nuk ka mundur t’i verifikojë të tilla raportime, por nëse ato do të rezultojnë të vërteta, edhe projekti i Marinës së Durrësit mund të përfundojë njësoj.

Ilustrim 3D i projektit

Për Portin e Durrësit Bashkimi Europian ka shprehur hapur rezerva. Projekti iu dha pa garë Mohamed Alabbar-it dhe në këtë mënyrë qeveria shqiptare përjashtoi të gjitha kompanitë europiane, të cilat mund të kishin ofruar edhe kushte më të favorshme për investimin dhe për përfitimin që mund të merrte shteti shqiptar.

Në foto: Rama dhe Alabbar

Braktisja e mundshme e projektit të Marinës së Durrësit do të sillte pasoja edhe pse deri tani kompania nuk ka bërë investime të mëdha. Mjaft qytetarë kanë lidhur kontrata për të blerë apartamente dhe nëse projekti dështon fati i parave të tyre është i paqartë.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka angazhuar kompani ndërkombëtare në projektin e portit të ri tregtar që do të ndërtohet në Porto Romano dhe që parashikohet të kushtojë në afro 500 milionë euro.

Zoom.al ka kërkuar informacione pranë Ministrisë së Infrastukturës në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e botimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigjje.

Po ashtu, redaksia jonë është përpjekur të kontaktojë edhe zyrat e AMAAR në Dubai në lidhje me raportimet se Alabbar po hetohet për lehtësim të financimit të terrorizmit apo për projektin në New Dehli, si dhe për fatin e projektit në Durrës. /Zoom.al