zoom

Aktualitet

EKSKLUZIVE/ Marina e Durrësit shkon sërish në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë përmban padia e opozitës

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë “EAGLE HILLS REAL
ESTATE DEVELOPMENT”, “ALBANIAN SEAPORTS DEVELOPMENT COMPANY SHA” dhe NSHMI DEVELOPMENT L.L.C., në lidhje me projektin e investimit strategjik “MARINA & JAHTET E DURRËSIT”, ka përfunduar për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese.

Më 11nëntor të vitit 2022 Partia Demokratike (Rithemelimi) dorëzoi një padi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e bazës juridike të projektit për portin, ndonëse marrëveshja nuk ishte votuar në parlament, por kishte kaluar në qeveri. Oerd Bylykbashi do të bënte këtë deklaratë pas dorëzimit të padisë.

Siç e kishim premtuar PD depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër mega-aferës korruptive, për marrëveshjen për Portin të Durrësit. Një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private nën petkun e investitorëve strategjik por me kompani offshore, pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese, shpresojmë që Gjykata do qëndrojë në nivelin që pritet dhe të bëjë detyrën e saj.

Brenda vetë PD pati zëra që kërkuan dërgimin në GJK të marrëveshjes pasi ajo të miratohej në parlament. Dhe në fakt, vendimi i Gjykatës Kushtetuese u dha të drejtë. Më 16 qershor 2023, kjo Gjykatë e rrëzoi padinë me 40 faqe.

Por Zoom.al mëson se na padinë e dytë të Partisë Demokratike janë gjetur të tjera prova në kontratën për Marinën e Durrësit, që sipas PD prekin Kushetutën. Një prej tyre, sipas burimeve të Zoom.al, është përjashtimi i kompanisë së investitorit arab Mohammed Alabbar nga taksa e infrastrukturës, sikundër nuk ka ndodhur më parë me asnjë kompani tjetër, shqiptare apo të huaj.

Ja çfarë thuhet në nenin dy të marrëveshjes.

Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e taksave vendore dhe legjislacionit në fuqi për strehimin social. Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1 të këtij ligji.

Demokratët thonë se ligji është bërë posaçërisht për të favorizuar kompaninë “Eagle Hills” të Alabbar, duke i falur kështu miliona euro të taksës së infrastrukturës dhe strehimit social. Përjashtimi nga taksat, sipas Kushtetutës – shpjegojnë ekspertët për Zoom.al – bëhet për kategori të caktuara, jo për persona apo biznese të veçanta.

Kështu thotë edhe neni 55 i Kushtetutës.

Në këtë pikë, demokratët janë të bindur se Gjykata Kushtetuese do t’u japë të drejtë.

Demokratët mendojnë gjithashtu se, siç përcaktohet në nenin 6 të kontratës, projekti i Marinës së Durrësit është përjashtuar nga prokurimi public dhe procedura e konkurrencës. Edhe në këtë pikë, sipas tyre, janë shkelur ligjet e shtetit shqiptar.

Dërgimi në Gjykatën Kushetuese i këtij projekti, që parashikohet të kushtojë 2.2 miliardë dollarë, vjen një ditë pas demokratët e grupimit Berisha – Bardhi e dërguan “Marinën e Durrësit” edhe në SPAK, siç raportoi ekskluzivisht një ditë më parë Zoom.al

Opozita e konsideron projektin një mega-aferë korruptive, në dëm të Shqipërisë dhe si një mënyrë për t’u pastruar paratë e pista të korrupsionit, kontrabandës dhe trafikut të drogës. /Zoom.al