Aplikacion
Një investim që cilësohet në shifrën e 2 miliardë dollarëve, që pretendon se i disponon dhe do i investojë.
Qeveria shqiptare i ka dhënë tokën falas dhe punimet kanë nisur. Sipas investitorit projekti është luksoz dhe teknologjik, duke deklaruar edhe disa risi, si plazhi artificial, port jahtesh, cilësinë e ujit, kontrollin e detit dhe të tjera.
Rrëfim si në përallën e “një mijë netëve” apo filmat fiction, sepse duket se prej kohësh realiteti flet të kundërtën. Punime të ngadalta, projekt i paqartë dhe i pashpjeguar mirë për kostot dhe xhirimin e financave.
Ka zëra që thonë se Alabbar po tenton të rikapitalizojë projektin. Pra të nisë punimet, t’i çojë deri diku dhe paralelisht të startojë me marketingun e shitjes së hyrjeve apo sipërfaqeve të biznesit dhe aktiviteteve të tjera në këtë zonë.
Duke akumuluar paratë nga prenotimet, të vijojë me ndërtimin e Portit të ri, me një investim përfundimtar të cilësuar në 2 miliardë euro.
Raportimet flasin për një kapital gjendje deri në 180 mln euro nga ana e biznesmenit dhe jo më shumë. Pra ai nuk do hedhë më shumë para sipas gjasave. Por ku do gjenden të ardhurat e tjera për ta çuar këtë projekt inovator deri në fund?
Edhe në intervistë investitori flet me optimizëm, duke rrëfyer me gisht se në atë vend po ndërtohet kompleksi i pallateve, që sipas tij ka nisur. Diku më tej plazhi artificial, i ri, i menaxhuar nga e para, me sedimente të hedhura apo të importuara.
Dhe habia shkon më tej, tek kontrolli i cilësisë dhe temperaturës së ujit. Pyetjes habitëse të Fevziut, i përgjigjet me siguri se e kanë bërë edhe në vende të tjera. Duke cituar termin “menaxhim kostosh”.
Por nëse ka vetëm 180 milionë euro investim gjendje, nga do i gjejë paratë e tjera për të bërë “Monakon xheloze” siç tha edhe kryeministri Rama në takimin me të kohë më parë, kur prezantuan projektin?
Specialistët e ndërtimit dhe projekteve futuriste si ky, thonë se një opsion i mundshëm është edhe shitja që në bazë, pra në themele dhe në vijim, paralelisht me procesin e ndërtimit.
Prenotimet e parakohëshme nga shqiptarët dhe më gjerë, do sjellin fluksin e valutës, për të vijuar dhe çuar projektin deri në fund.
Po nëse prenotimet nuk ecin siç parashikon tregu i kompanisë? A do ngecë projekti? A do paguajë vetë qeveria nga buxheti me financime apo me kredi të buta? Pyetje që i mbeten kohës në vijim, por duket se deri tani gjërat nuk po ecin edhe aq mbarë, pasi punimet kanë ritmin jo të paramenduar.
Alabbar thotë se “plazhi do jetë më i bukur se çdo gjë tjetër”, por koha që mund të marrë projekti, mund të jetë shumë herë më e madhe nga parashikimet e arkitektëve dhe investitorit. Dhe kjo do të thotë kosto më shumë, ose dështim që në nisje, duke e kaluar tek dikush tjetër, apo me aksionerë të rinj nëse gjenden.
Gjithashtu mendohet se edhe kostot e kalimit të portit tregtar në Porto Romano nuk do i paguajë ai, por taksapaguesit, pasi do bëhet me paratë e buxhetit. Dhe gjithçka mbetet për t’u parë në vijim se sa sukses do të ketë, apo do rezultojë një “fluskë financiare”. /ZOOM.AL/
View this post on Instagram