zoom

Lajme

Ish-kandidati për Bashkinë Durrës: Projekti i portit, vjedhja më e madhe në Europë

Ish -deputeti dhe ish -kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit, Igli Cara, e ka denoncuar projektin e Marinës së Durrësit si vjedhjen më të madhe në Europë.

Duke e krahasuar me aferën e inceneratorëve, Cara e konsideron dhënien e projektit kompanisë së investitorit arab, Mohammed Alabbar, si një vjedhje 15 herë më të madhe.

“Së pari dua t’ju falënderoj shumë që e mbani këtë temë gjithmonë të ndezur se siç edhe ju e thatë është vjedhja më e madhe që ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri, ne Ballkan në Europë, që nga krijimi i kombit tonë. Është minimumi 15 herë më shumë se inceneratori. Dhe unë do ua jap me shifra. Dhe kam sfiduar këdo të majtë apo specialistë të fushës me shifrat që janë të dukshme siç s’ka qejf Rama të thotë e zeza mbi të bardhë, apo me zë dhe figurë. Fatkeqësisht çfarë ka thënë opozita, çfarë kemi thënë ne që në fillim të herës në dhjetor 2020. Bëhet fjalë në vendim 145 të asaj kohe ku opozita fallso miratoi pa kuptuar asgjë pikërisht ratifikimin e marrëveshjeve me Emiratet e Bashkuara….”, deklaroi Cara në një intervistë televizive.

Opozita ka qenë kundërshtare e fortë projektit që qeveria ka firmosur me biznesmenin arab Mohammed Alabbar, për të kthyer portin tregtar të Durrësit në një marinë luksoze.

Demokratët kanë publikuar disa herë dokumenta dhe prova që vërtetojnë se kompanitë e përmendura në kontratë janë guacka, pa aktivitet dhe pa kapital, dhe se qeveria Rama po i fal 80 hektarë tokë publike biznesmenit arab.

Partia Demokratike ka depozituar edhe një padi të dytë në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.

Me votim në parlament, qeveria i dha kompanisë offshore “Eagle Hills” të Alabbar 800 mijë m2 tokë shtetërore në portin e Durrësit për të bërë pallate.

Në kontratë thuhet se Alabbar do të ndërtojë edhe një port për jahte, por porti do të ndërtohet pas pallateve dhe kontrata nuk parashikon asnjë garanci në rast se investitori arab largohet pa e përfunduar portin.

Alabbar ka deklaruar se do të investojë 2.2 miliardë euro, por në kontratë thuhet se ai duhet të sigurojë vetëm 180 milionë euro për projektin. Paratë e tjera do të mund t’i marrë nga shitja e apartamenteve, që ka nisur ende pa u hedhur themelet.

Në media janë hedhur dyshime se projekti mund të shërbejë edhe për pastrimin e parave, pasi, sipas ekspertëve, kontrata ka mjaft mangësi në parandalimin e këtij fenomeni. /Zoom.al

Postime të lidhura