zoom

In Zoom

Porti i Durrësit, pa marinë jahtesh? E paqartë kur do të ndërtohet, kontrata pa parashikim të saktë

Nëse prisni të shihni jahte luksoze, kroçera, anije me vela e skafe turistike në Portin e ri të Durrësit, do të duhet të prisni gjatë. Pritja do të jetë pa afat.

Kështu parashikon kontrata e miratuar në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë më 25 nëntor 2022 me kompaninë offshore “Eagle Hills Real Estate Development ( ish “Symphony Real Estate Development”), me administrator Mohamed Ali Rashed Alabbar.

Në të vërtetë kontrata nuk parashikon asgjë përsa i përket afatit se kur do të nisë punë ndërtimi i Portit të Jahteve.

Në pikën 10.8.2 të marrëveshjes së miratuar nga deputetët e PS në parlament, thuhet që “Investitori Stategjik”, që nënkupton kompaninë e arabit Muhamed Alabbar, do të duhet të aplikojë për një leje për ë filluar punimet për Marinën brenda 3 muajve pas datës së dorëzimit në Fazën 2.

  • Palët bien dakord që, pavarësisht çdo gjëje tjetër të kundërt këtu, Investitori Strategjik duhet të aplikojë për një Leje Ndërtimi për të filluar punimet për Marinën brenda tre muajve pas Datës së Dorëzimit në Fazën 2 dhe miratimit të Master Planit të Marinës. Nëse Investitori Strategjik nuk arrin të përmbushë detyrimin në fjalinë e mëparshme pa pëlqimin paraprak me shkrim të institucionit qeveritar përkatës, Eagle Hills-i kupton dhe pranon që: (i) Qeveria e Shqipërisë do të jetë e lirë të bëjë me Marinën siç e sheh të arsyeshme, duke përfshirë: pa kufizim, operimin vetë nëpërmjet APD-së ose institucioneve të tjera të përshtatshme dhe (ii) as Eagle Hills-i e as Personat e Lidhur të tij, nuk do të pretendojnë ndonjë Dëm direkt ose indirekt nga ASDC-ja ose Qeveria Shqiptare.

Por kur dorëzohet Faza 2? Kontrata, në pikën 9, sqaron se ndërtimi dhe zhvillimi i projektit për të dyja fazat do të duhet të përfundojë brenda 20 viteve.

  • 9. PËRFUNDIMI I PROJEKTIT
    9.1 Data e Përfundimit të Zhvillimit
    9.1.1 Bazuar në paragrafin 8.4.1 (Dorëzimi i Sheshit të Projektit në Fazën 2), Palët bien dakord që Investitori Strategjik të përfundojë ndërtimin dhe zhvillimin e Projektit (të dyja Faza 1 dhe Faza 2) brenda 20 (njëzet) viteve pas Datës së Përfundimit (“Data e Përfundimit të Zhvillimit”).

Eagle Hills Real Estate Development ka nisur të shesë apartamente pa nisur punimet për projektin dhe ne një kohë kur ndërtimi i Portit të Jahteve, që do të mund ta ndryshonte bregdetin aktual, as që duket ne horizont.

Për Marinën nuk ka ende asnjë projekt, asnjë plan dhe për pasojë asnjë parashikim se kur do të nisin punimet apo kur do të përfundojnë ato, çka shton pasiguritë se kompania offshore e Alabbar mund të largohet pa e bërë marinën, sapo të marrë paratë e pallateve që do të shesë.

Ekspertët thonë se nëse punimet për Portin e Jahteve do të nisnin sot, ndërtimi i tij do të dojë 8 vjet kohë, nëse do të punohej me kapacitet të plotë.

Marrëveshja e miratuar në Parlament nuk ka bashkëlidhur as ndonjë Masterplan të dakortësuar ku të paraqitet konkretisht apo të paktën konceptualisht se ku do të jetë Marina, zonimet e projektit etj.

Kompania offshore e Alabbar është përqendruar te shitja e apartamenteve, aty ku e ka fitimin më të madh, pasi po ndërton në 800 mijë metër katrorë tokë shtetërore të falur nga qeveria.

Pa Marinën, është njësoj si të blesh apartamente jashtë zonës së rrethuar të Portit aktual, pa qenë nevoja për të paguar çmimet e fryra të apartamenteve që do të ndërtojë arabi Alabbar brenda rrethimit të sotëm të portit, me kosto të ulët, referuar kritereve të vendosura nga ndërtuesi serb për blerjen e mallrave.

Porti Turistik i Durrësit, Golemi i Dytë i Adriatikut

Burime të Zoom.al thanë se tenderi përm aterialet është kërkuar që të bëhet në mënyrë të atillë që kostoja të mos shkojë më shumë se 500 euro për metër katror, një vlerë shumë e ulët në një kohë kur çmimet e materialeve të ndërtimit kanë pësuar rritje thuajse dyfish. /Zoom.al