zoom

In Zoom

Porti Turistik i Durrësit, Golemi i Dytë i Adriatikut

Shumëkush e mban mend trendin e blerjes së një apartamenti, shtëpie apo vile në zonën e Golemit kur nisi me vrull ndërtimi i pallateve dhe u shfaqën për herë të parë fshatrat turistikë.

Në atë kohë reklama të ndryshme i ftonin qytetarët të bëheshin “pronarë” të shtëpive në atë që do të ishte perla e turizmit shqiptar.

Por tani shqiptarët po e shohin me sytë e tyre atë që ka ndodhur. Përveç mbipopullimit, koha ka nxjerrë në pah një problem thelbësor, siç është cilësia e dobët me të cilën janë bërë ndërtimet.

20 vjet më vonë shqiptarët po ftohen përmes një vale masive reklamash të investojnë sërish në bregdetin e Durrësit.

Një faqe moderne internet, me emrin “Durrës Yacht & Marina”, po përpiqet t’i joshë qytetarët që të bëhen pjesë e saj dhe të marrin në kohë reale ofertat për shitjet e apartamenteve që do të ndërtohen në projektin e portit turistik të Durrësit apo siç njihet ndryshe edhe si Marina e Durrësit.

Ndonëse punimet as nuk kanë filluar, kompania offshore që po e ndërton portin ka nisur shitjet, duke u ofruar qytetarëve vetëm pamje 3D në video të animuara apo foto të krijuara në kompjuter, përmes të cilave “Durrësi i nesërm” duket si Dubai i sotëm.

Duke ofruar ëndërrën, kompania po përpiqet të përfitojë sa më shumë. Çmimet nuk janë afishuar, por flitet se vlera është stratosferike, deri në 2 mijë euro për metër kartror.

Nisur nga çmimet dhe ajo që ofrohet përmes reklamave, pritshmëritë janë për një “perlë turistike” dhe punime të fjalës së fundit të inxhinierisë. Por kushdo që e mendon me shumë gjasë do të zhgënjehet, pasi ajo që do të marrë në fund, gjithmonë nëse projekti do të pëfundojë, mund të jetë shumë ndryshe nga ajo që premtohet në këtë fazë.

Zoom.al mëson se kompania offshore “North East Real Estate Holdings Limited”, pas të cilës qëndron biznesmeni arab Mohamed Alabbar, të cilit qeveria i dha pa garë projektin, po bën një investim të lirë.

Kompania kryesore e ndërtimit është nga Serbia. Burime të Zoom.al thanë se ajo po bën tender për materialet, që ndërtimi në Portin e Durrësit të mos jetë i shtrenjtë dhe në fund kostoja të mos shkojë më shumë se 500 euro për metër katror.

Vlera konsiderohet e ulët, një një kohë kur çmimet e materialeve të ndërtimit kanë përsuar një rritje të madhe në kushtet e krizës ekonomike që po kalon bota si pasojë e luftës në Ukrainë. “Me 500 euro kostro për metër katror kur çmimi i hekurit, betonit, tullës dhe materialeve të tjera është thuajse dyfishuar, nuk mund të presësh kushedi se çfarë”, thotë një ndërtues i pyetur nga Zoom.al.

Mbajtja e kostos së ndërtimit në vlerën e 500 eurove e vë në dyshim cilësinë e punimeve dhe ajo që mund të dalë nga ky projekt mund të jetë shumë ndryshe nga ajo që u shfaqet shqiptarëve nëpërmjet reklamave me pamje të zbukuruara në kompjuter.

Nëse cilësia e punimeve do të jetë e ulët, ajo që po shitet nga qeveria si perla turistike e Adriatikut mund të rezutojë asgjë më shumë se një Golem i Dytë.

Kur qyetarët panë në projektet e pallateve dhe fshatrave të Golemit në letër apo të vizatuara nga arkitektë dhe programe komjuterike, ata u vërsulën t’i blejnë pavarësisht kostove. Por sot, të shesësh një apartament në këtë zonë është një mision thuajse i pamundur.

Kushdo që e ka frekuentuar Golemin vitet e fundit sheh të varura nëpër ballkone pallatesh tabela me mbishkrimin “SHITET” të shoqëruar me numra telefonikë, ngjyra e të cilëve është zbehur nga qëndrimi i gjatë aty. Agjencitë imobiliare kanë të listuara me dhjetra apartamente në këtë zonë, por qytetarët nuk po i blejnë më.

Shkaku kryesor është cilësia e dobët e punimeve, përveç mbipopullimit që kanë shkaktuar pallatet shumëkatëshe. Edhe në atë kohë, kompanitë ndërtuan me materiale të lira, me qëllim që të kishin një normë sa më të lartë fitimi.

Në Durrës, ulja e kostove duket se është e pashmangshme, në kushtet kur kompania offshore e Alabbar nuk i ka paratë për ndërtimin. Ajo po përpiqet të shesë sa më shumë apartamente në letër dhe t’i ndërtojë pallatet me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Zoom.al ka raportuar edhe disa herë të tjera mbi mënyrat e financimit të projektit. Ekspertët ngrenë dyshime si për pamundësinë e financimit nga kompania offshore po ashtu edhe për futjen e parave të pista apo për kredi të mëdha bankare, që mund të rezultojnë një gropë financiare dhe një skemë piramidale.

Për më tepër, kompania ka nisur shitjet në kohën kur projekti është në Gjykatën Kushtetuese. Siç mëson Zoom.al, Gjykata nuk ka vendosur ende të përcaktojë një seancë publike për shqyrtimin e saj. Një vendim për rrëzimin e marrëveshjes do ta ndërpriste projektin, duke shkaktuar pasoja të rënda financiare për ata që po prenotojnë apartamente, megjithatë, pavarësisht pasigurisë për vendimin, kompania nuk po i ndërpret shitjet derisa gjykata të shprehet. /Zoom.al