Aplikacion
Në dokumentin e projektbuxhetit 2024, të shqyrtuar nga Zoom.al, qeveria ka parashikuar “8.62 mld lekë për ndërtimin dhe transferimin e portit të mallrave në Porto Romano” që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.
Një vit më parë, kur ky projekt u prezantua, si derivat i “Durrës Yachts Marina”, opozita sulmoi qeverinë për burimin e financimit të këtij projekti. Por, ministrja e Energjisë Belinda Balluku dhe kreu i autoritetit portual Durrës, APD, Pirro Vengu garantuan se financimi do të ishte i jashtëm dhe një pjesë nga arkëtimet e vetë APD-së, pra zero lekë nga taksat.
Përveç dokumentit, sot (7 nëntor) ministrja Balluku konfirmoi se një vit më parë ka gënjyer.
“Nuk dua të zgjatem, por kërkojmë që ky projekt të parashikohet si shpenzim kapital me financim të brendshëm, që deri më sot parashikohej me financim të jashtëm”, deklaroi Balluku në komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku përballë kishte vetëm kolegët e saj socialistë.
Në total, ndërtimi i Porto Romanos do të kushtojë 43 mld lekë dhe do të paguhet nga buxheti i shtetit deri në vitin 2026.
Sipas burimeve, paratë do të kërkohen nga Banka Botërore me anë të një kredie, këstet e së cilës, bashkë me interesat do t’i rëndojnë më tej qytetarëve shqiptarë. Kjo është një tjetër pikëpyetje për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe respektimin e afateve, pasi konfirmimi i një kredie nga BB, kërkon disa vite monitorim dhe garanci.
Kjo nuk është gënjeshtra e parë e qeverisë në projektin për shndërrimin e portit të Durrësit. Kur u prezantua marrëveshja me Mohamed Alabbar nga Emiratet Arabe, u tha se në Porto Romano do të zhvendosen vetëm terminalet e mallrave dhe se pasagjerët do të vijojnë të përdorin portin brenda qytetit.
“Sekretin” e qeverisë e nxorri raporti i APD-së ku parashikonte se përpos 2 mln TEU kontejnerë (njësi që përdoret për matjen cargo), porti i ri do të menaxhojë edhe 1 mln pasagjerë.
Zhvendosja e operimeve në Porto Romano do të bëhet në kuadër të projektit gjigand “Durrës Yachts & Marina Sales Centre”, një port turistik, që sipas qeverisë do ta bëjë Shqipërinë një pikë të turizmit elitar. Projekti është kundërshtuar fort nga ekspertë të fushës dhe opozitarët, të cilët e kanë cilësuar si një vjedhje të pronës publike pa asnjë përfitim për shtetin tonë. Edhe BE ka shprehur rezervat e veta për këtë projekt.
Sipas marrëveshjes, Shqipëria pret të fitojë para nga porti turistik, përmes dividentit që do të marrë nga ortakëria me arabët dhe 33% të fitimit, në rast se Alabbar deklaron të tilla. Faza e parë e punimeve pritet të përfundojë në vitin 2025, por i gjithë porti do të përfundojë tërësisht në vitin 2050./Zoom.al
WSJ: Ndonëse një vend me korrupsion dhe pastrim parash, Kushner zgjedh të investojë në Shqipëri