zoom

Aktualitet

Rama i dha Portin e Durrësit, por Alabbar është nën hetim për mashtrim

Rama i dha Portin e Durrësit, por Alabbar është nën hetim për mashtrim

Muhammed Alabbar, pronar i kompanisë “Eagle Hills”, të cilit i është besuar nga qeveria “Rama” ndërtimi i Portit turistik të Durrësit, po hetohet për mashtrim.

Alabbar është thirrur nga policia indiane për t’u marrë në pyetje mbi një projekt që kompania “Emaar” po realizon në Indi.

Hetimet nisën pas denoncimit të një qytetari indian, i identifikuar si Manish Kumar Patni, i cili kishte prenotuar për të blerë një shtëpi në kompleksin që do të ndërtohet nga Emaar, projekt i cili quhet “Palm Garden”.

Sipas denoncimit, drejtuesit e Emaar morën paratë nga blerësit, duke iu premtuar se projekti, që u prezantua në vitin 2010, do të përfundonte deri në dhjetor të 2015. Por, përfundimi i kompleksit të banesave u shty në mënyrë të jashtëzakonshme, siç shkruan media indiane “Indiatimes”.

Denoncuesi pretendon edhe se Emaar ka mashtruar sepse në momentin që një qytetar blen një banesë, ai nuk pajiset me lejet e nevojshme nga autoritetet.

Por si lidhet emri i Alabbar me këtë rast mashtrimi?

Sipas denoncimit, Alabbar është një person në dijeni për faktet e rrethanat në të cilat është kryer krimit ekonomik. Sipas saj në këtë njoftim shkruhet: “Ju informojmë se ka baza të arsyeshme që ju të pyeteni për faktet dhe rrethanat në kuadër të hetimit aktual.”

Nga ana tjetër, mbrojtësit ligjorë të Alabbar kanë deklaruar se do të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Pyetja që lind është: A rrezikon të përdoret e njëjta skemë edhe me investimin e premtuar nga Alabbar në Portin e Durrësit?

Fakt është që Alabbar dhe grupi i tij nuk i kanë të 2 miliardë eurot që kanë parashikuar se kushton i gjithë projekti në Portin e Durrësit.

Ata kanë vetëm 180 milionë euro të deklaruara, një shumë kjo e papërfillshme në raport me investimin total.

Pjesën tjetër të parave “pasaniku” Alabbar shpreson ta mbledhë nga shitja e apartamenteve ende pa i ndërtuar.

Denoncimet e ish-kryeministrit Sali Berisha tregojnë se para se marrëveshja e projektit të publikohej në Fletoren Zyrtare, apartamentet në Portin turistik të Durrësit po shiteshin me 3 mijë euro metri katror. Pra, shqiptarët nisën të blinin ajrin, gati njësoj siç ndodhi në Indi.

Postime të lidhura