zoom

Aktualitet

Klubi Dinamo, miliona financime nga paratë që duhet të marrin shqiptarët nga “Durrës Yacht Marina”

Klubi Dinamo, miliona financime nga paratë që duhet të marrin shqiptarët nga “Durrës Yacht Marina”

Klubi i Futbollit të Dinamos u ngjit sërish në Kategorinë Superiore, por këtë sezon ai do të vijë me një tjetër emër.
Mediat sportive kanë raportuar se Dinamo do të ndryshojë emrin, logon dhe mënyrën e menaxhimit.

Skuadra do të quhet “Dinamo City”. Por ndryshimi thelbësor janë investitorët. Në fanellë do të mbajë mbishkrimi “Durrës Yachts & Marina”. Kjo është kompania që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit.

Siç mëson Zoom.al, nëpërmjet këtij investitori, Dinamo do të marrë para që janë parashikuar të shkojnë në arkën e shtetit.

“Durrës Marina” është një kompani me ortak kompaninë “Ealge Hills Real Estate Development” të arabit Muhamed Alabbar dhe “Albanian Seaport Development Company”, një kompani shtetërore e krijuar posaçërisht për të realizuar projektin e portit turisti.

Kompania e arabit Alabbar zotëron 67 % të aksioneve, ndërsa kompania shtetërore 33 % të aksioneve.

Duke investuar në klubin Dinamo, “Durrës Marina” do të çojë aty edhe paratë që do të duhet të shkonin në arkën e shtetit dhe do të mund të përdoreshin për shtresa në nevojë, rritje pagash e pensionesh apo projekte nga të cilat përfiton i gjithë komuniteti.

Për çdo sponsorizim që do të bëhë “Durrës Marina” për Dinamon, 33 % e shumës janë para që duhet të përfundonin në buxhetin e shtetit.

Por veç sponsorizimit me paratë publike, qeveria do t’i dhurojë klubit Dinamo edhe tokë shtetërore. Mediat sportive kanë mësuar se gjithçka është vendosur pas një takimi që ka pasur presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi me kryeministrin Edi Rama.

Toka në fjalë do të jetë në zonën e ish-Kënetës për të ndërtuar aty një kompleks sportiv.

Në takim është dakordësuar që Dinamo City të ketë bashkëpunim edhe me akademinë e Machester City, e cila do të ndërtohet në të njëjtën zonë sipas një marrëveshje të mundësuar nga kryeministri Rama.

Një tjetër investitor i Dinamo City do të jetë “Mektrin Motors”, një kompani që merret me shitjen e makinave të reja dhe të përdorura, pas të cilës qëndron bashkëshorti i kryetares së bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, e cila është akuzuar për si për projektin e portit, ashtu edhe për inceneratorët.

Sponsorizimi vjen ndërkohë që mbi projektin e Portit të Durrësit vijojnë të qëndrojnë pikëpyetje të mëdha, ndër më kryesoret mënyra e investimit, pasi kompania e Alabbar nuk i ka 2 miliardë dollarët që duhen për projektin, çka ka ngritur dyshime se aty mund të investohen edhe paratë e grupeve kriminale që veprojnë kryesisht mes Durrësit dhe Dubait. /Zoom.al

Postime të lidhura