zoom

Politikë

“Dy standardet, Rama i fali Alabbar-it Portin e Durrësit, Berisha u ktheu pronat ish-pronarëve”

“Dy standardet, Rama i fali Alabbar-it Portin e Durrësit, Berisha u ktheu pronat ish-pronarëve”

Kryetari i FRPD-së, Besart Xhaferri ka reaguar pasi GJKKO lëshoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, si edhe bllokimin e pasaportës së tij nga ana e drejtësisë.

Ai ka folur për dy standardet e përdorura nga drejtësia duke krahasuar privatizimin e ish-kompleksit Partizani, me dhënien e Portit të Durrësit tek Mohamed Alabbar, kreu i kompanisë “Eagle Hills”.

Xhaferri shkruan se në rastin e Berishës, për këdo që ka lexuar dosjen, kupton që rasti është parimor, pasi u janë kthyer pronat ish-pronarëve.

“Ish Kryeministri Sali Berisha, është në shënjestër të SPAK vetëm për faktin se ish pronarëve u dha mundësia që të marrin pronat e tyre të uzurpuara nga regjimi komunist, teksa mes mijëra përfitueseve nga ky ligj i drejtë është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, pasardhës i një nga dyerve të mëdha të kryeqytetit Tiranës”, shkruan ai.

Ndërsa ngre pikëpyetje nëse kryeministri Edi Rama do të duhet të ishte në hetim, për atë që e quan afera e portit të Durrësit.

Ai shprehet se përmes kësaj afere Edi Rama dhe Alabbar i vodhën Durrësit dhe gjithë Shqipërisë asetin më të vlefshëm, Portin e Durrësit.

Xhaferri deklaron se Edi Rama i fali Alabbarit 231 milionë euro duke e përjashtuar nga taksat, para të cilat ua merr qytetarëve durrsakë.

Reagimi i plotë:

Ish Kryeministri Sali Berisha, është në shënjestër të SPAK vetëm për faktin se ish pronarëve u dha mundësia që të marrin pronat e tyre të uzurpuara nga regjimi komunist, teksa mes mijëra përfitueseve nga ky ligj i drejtë është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, pasardhës i një nga dyerve të mëdha të kryeqytetit Tiranës.

Kush e ka lexuar dosjen e kupton se qëndrimi i Kryeministrit Sali Berisha ka qënë parimor dhe nga ato vendime të drejta të asaj qeverie është zhbërë një padrejtësi rreth 60 vjeçare dhe çdo komunikim zyrtar është transparent dhe i aksesueshëm, pasi diskutimet janë bërë në mbledhjen e qeverisë dhe jo në restorantet e Nusretit në Dubai.

Pyetja që çdo shqiptar i ndershëm i bën vetes është a do duhej të ishte nën hetim kryeministri Rama për aferën e Portit të Durrësit, pasi projekti i ndërtimeve “Alabbar” është vjedhja më e madhe e pronës publike, korrupsioni më harbut dhe arrogant që kjo qeveri ka bërë ndonjëherë.

Kjo aferë tejkalon edhe inceneratorët, edhe PPP shktarrimtare në shëndetësi e infrastrukturë, por pavarësisht gjenocidit mbi taksat e shqiptarëve, Rama nuk thirret nga SPAK.

Përmes kësaj afere Edi Rama dhe Alabbar i vodhën Durrësit dhe gjithë Shqipërisë asetin më të vlefshëm, Portin e Durrësit.

Kryeministri Edi Rama i fali Alabbarit 231 milionë euro duke e përjashtuar nga taksat, para të cilat ua merr qytetarëve durrsakë.

Kjo aferë vjen në dhunim me të gjitha ligjet e vendit, teksa vetë Rama deklaroi me mburrje  se i dha Alabbarit territorin prej 1.5 milion metra katrorë të ndërtimit.

Mjafton vetëm krahasimi i vendimeve qeveritare për çështjet e kompleksit Partizani dhe Portit të Durrësit për të kuptuar se si Kryeministri Edi Rama, nuk do duhej të ishte nën hetim por në qeli!

Postime të lidhura