zoom

Lajme

“Më largoi Berisha”- U “flak” nga PD? Edmond Spaho tregon a kërkon post nga Edi Rama

“Më largoi Berisha”- U “flak” nga PD? Edmond Spaho tregon a kërkon post nga Edi Rama

Ish-deputeti dhe ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës dhe Flamur Nokës, duke deklaruar se u largua nga PD pas 35 vitesh kontribut për shkak të kritikave të tij ndaj mënyrës së drejtimit të partisë. Spaho mohoi gjithashtu zërat se kritikat ndaj PD-së lidhen me ambicie për të marrë poste në qeverinë e Edi Ramës.

“Më largoi Berisha nga partia, dhe nuk erdhi brenda ditës. Ne premtuam demokratizimin e PD-së, nenin për të dhënë dorëheqjen kryetari, premtuam primaret, mbi bazën e kontributeve. Pas 35 viteve kërkova këto”, u shpreh ish-deputeti.

Spaho tha se tani është në pension dhe i paangazhuar në struktura partiake, por vijon të ndjekë zhvillimet politike, duke u përpjekur, sipas tij, të ruajë pavarësinë nga interesat e ngushta partiake.

Ai u shpreh se ka qenë kritik si ndaj Lulzim Bashës, ashtu edhe ndaj Sali Berishës për vendime të rëndësishme politike. Sipas Spahos, ai kishte kundërshtuar djegien e mandateve dhe është i bindur se edhe Berisha ka pasur rol në atë vendim, duke e cilësuar ish-kryeministrin si “kryetar në hije” gjatë kohës që Basha drejtonte Partinë Demokratike.

“Tani jam i paangazhuar, jam në pension, merrem me familjen, mbush kohën me angazhimin politik, por duke u përpjekur që të ruaj, mosmolepsjen nga veprimet partiake. Në shtator 2021 Berisha iu kundërvu qëndrimeve të Bashës që nuk mori përsipër humbjen e zgjedhjeve të 2021 dhe e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar. Kryetari zyrtar i PD-së ishte Basha dhe ai mbante përgjegjësinë. Rithemelimi premtoi shumë gjëra që të mos ishte e pamundur që të mos ishe dakord.  Unë kam qenë kritik ndaj Bashës për reformën territoriale. Qëndrimet në atë kohë, pavarësisht se me Berishën kontaktet në 2013-2021 i kisha si të gjithë, kam qenë kundër djegies së mandateve dhe ia thashë Bashës, Kryemadhit, Mediut. Sot jam i bindur se ka patur dorë edhe zoti Berisha në djegien e mandateve dhe që Basha merrte mendimin e Berishës, që ka qenë kryetar në hije”, tha ai në të “Paekspozuarit”.

Ish-nënkryetari i PD-së tha se kishte kërkuar demokratizimin e partisë, zbatimin e primareve dhe respektimin e kontributeve të anëtarëve, por këto qëndrime, sipas tij, çuan në largimin e tij.

Spaho tregoi se kishte rezerva edhe për mënyrën se si u bashkuan grupimet e PD-së pas Rithemelimit, duke propozuar krijimin e një grupi të ri parlamentar ose edhe të një partie të re. Sipas tij, kjo do të kishte qenë më e dobishme sesa humbja e thellë elektorale që, siç tha ai, e çoi PD-në nga humbja me 30 mijë vota në vitin 2021 në rreth 300 mijë vota katër vite më vonë.

Ai akuzoi drejtpërdrejt Flamur Nokën për arrogancë dhe mënyrë autoritare drejtimi, sidomos gjatë periudhës kur Sali Berisha ndodhej në arrest shtëpie. Spaho tha se, ndonëse ishte drejtues politik i qarkut të Korçës, nuk pyetej për vendimmarrjet dhe se çdo ankesë që i dërgonte Berishës përfundonte në duart e Nokës.

“Unë kam patur rezerva për mënyrën se si u bashkuan dy gjysmat e PD-së dhe i thashë që më e udhës ishte të krijonim një grup të ri parlamentar, sepse ne dolëm të parët. I thashë që ndoshta krijojmë një parti të re, dhe i thashë që mund të humbnim 10 për qind, por nga viti 2021 kur humbëm me 30 mijë, pas 4 vitesh humbëm me 300 mijë. Unë kam gëlltitur shumë gjëra. Unë jam përjashtuar 50 ditë nga Kuvendi. Unë nuk jam bërë pishman për këto.

Unë u përplasa ashpër me Nokën, sepse vepronte me arrogancë, me prepotencë, sidomos kur Doktori ishte në “arrest shtëpiak”. Tani unë isha drejtues i qarkut Korçë dhe nuk më pyeste fare. Për të gjitha këto i kam shkruar Berishës dhe ai ia çonte Flamurit. Doktori më tha nuk të kemi hequr, pasi më shkarkuan nga drejtimin i qarkut Korçë, Flamuri të nesërmen, më tha që meqë Ivi vjen nga një qytet afër Korçës menduam për atë. Berisha më tha që të garantoj se do të jesh deputet dhe unë vazhdova me atë ritëm pune. Në primare dola i dyti në grupin parlamentar. Na vunë detyrë që po nuk gjetëm 300 emigrantë, nuk do të kandidoheshim. Unë gjeta 400.  Detyra jonë ishte të identifikonim votues të djathtë dhe ata të regjistroheshin. Dhe dola në listë të hapur. E takova prapë Doktorin dhe kam qenë 1 vit rresht që ndenja te “Rruga e Shpresës”. Më tha se mund të kesh të drejtë, por kështu vendosëm”, shtoi Spaho.

Sipas tij, pasi u shkarkua nga drejtimi i qarkut, Berisha i kishte garantuar se do të ishte deputet. Ai tha se doli i dyti në primare, siguroi mbi 400 emigrantë të regjistruar si votues dhe vijoi angazhimin politik, por sërish u vendos në listë të hapur.

“Noka dhe Kaso u thanë strukturave që të mos më votonin”, deklaroi Spaho, duke e cilësuar këtë si vendimin që vulosi largimin e tij nga Partia Demokratike.

Gjatë intervistës, Spaho hodhi poshtë edhe pretendimet se kritikat ndaj PD-së bëhen për të siguruar një post në qeverinë socialiste, siç është komentuar për figura të tjera politike.

I pyetur nga gazetari Ylli Rakipi nëse do të pranonte një detyrë nga kryeministri Edi Rama, Spaho u përgjigj me ironi se do të pranonte vetëm postin e kryeministrit.

“Unë pranoj vetëm një detyrë, kryeministër. Nuk kam pasur dhe nuk do ta kem kurrë që të marr pushtet nga PS. Kam 35 vjet në PD dhe nuk dua të shkel mbi ato kontribute. Jam kritik me PD-në për interesin e saj, jo për interesin tim personal”, tha ai.

Kur u pyet nëse do të pranonte një post ministror në një ofertë të mundshme nga Rama, Spaho e përjashtoi kategorikisht këtë mundësi.

“As mos e imagjino. Në mënyrë metaforike thashë se pranoj vetëm kryeministër, të ikë Rama dhe të vij unë”, u shpreh ish-nënkryetari i Partisë Demokratike.