zoom

Politikë

PS pengon hetimin parlamentar për udhëtimet e Ramës me çarter. Shtohen dyshimet

Partia Socialiste rrëzoi në konferencën e kryetarëve kërkesën e deputetëve të opozitës për të ngritur një Komision Parlamentar për të hetuar shpenzimet e udhëtimeve të kryeministrit Edi Rama me avionin çarter, të quajtur “Ismail”.

Opozita e ka akuzuar Ramën se në afro 150 udhëtime me këtë avion ka shpenzuar rreth 22 milionë euro.

Zoom.al, e para media që raportoi mbi fluturimet e shpeshta të kryeministrit me çarter, ka përllogaritur gjithashtu me ndihmën e ekspertëve se për një orë fluturim me avionin “TC-ANA” shpenzimet arrijnë në afro 15 mijë euro (shihni shkrimet më poshtë në faqen e Zoom.al).

Zoom.al dhe disa media të tjera të pavarura i kanë kërkuar informacion Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për pagesat që ka bërë për këto udhëtime. Kjo drejtori nuk ka dhënë asnjëherë përgjigje. Ajo ka refuzuar edhe një kërkesë të disa deputetëve të opozitës.

Sipas raportimeve të shumta në media, shpenzimet mund të mbulohen nga biznesmeni kontrovers Sinan Idrizi, i cili është ortak i “Air Albania”.

Në mungesë të transparencës, deputetët e opozitës kërkuan që të jetë parlamenti që ta hetojë këtë aferë. Por edhë në parlament socialistët u bënë bllokadë për ta penguar hetimin.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i quajti kërkesat e opozitës “të pakufijshme”, por ai nuk dha shpjegime të arsyeshme se përse u rrëzua kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar. Sipas Ballës, mazhoranca votoi kundër për shkak se kërkesa mbante edhe firmën e kryetarit të PD, Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata”.

Kërkesa e PD ishte firmosur nga 35 deputetë të saj. Ajo kishte si objekt hetimor “verifikimin e ligjshmërisë së shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit të kryeministrit Edi Rama nga data 10 shtator 2013 deri në 31 tetor 2022”.

Grupi i hakrave iranianë, “Homeland Justice” publikoi listën e udhëtimeve të kryeministrit. Nga të dhënat e marra nga sistemi TIMS rezulton se në këtë periudhë ai kishte kryer plot 137 udhëtime me çarter.

Kryeministri i ka kryer një pjesë të madhe të udhëtimeve në kohën kur Shqipëria u përfshi nga kriza e çmimeve.

Avioni që ai përdor ka qenë në pronësi të qeverisë turke. Qeveria nuk ka treguar ende dokumentacionin se si ka përfunduar ai në Shqipëri, teksa mediat shkruajnë se ai është një dhuratë e presidentit turk Erdogan. 

Avioni “TC -ANA” është një mjet luksoz, i cili në gjendjen aktuale kushton rreth 40 milionë dollarë.

Kryeministri Rama e ka përdorur atë edhe për udhëtime pa rëndësi politike, si për të shkuar edhe deri në Kosovë.

Zoom.al ka raportuar herë pas here se në këtë avion Rama ka marrë edhe miq të tij. Ai e ka përdorur “Ismailin” edhe si taksi, siç ishte rasti i dërgimit nga Brukseli në Shkup i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski.

Në të rezulton se kanë udhëtuar edhe gazetarë të rrethit të ngushtë të Ramës dhe persona të tjerë pa lidhje me delegacionet qeveritare.

Me rrëzimin e kërkesës për hetim parlamentar për shpenzimet e luksit me këtë avion, socialistët i kanë shtuar dyshimet për shpërdorim të parave të taksapaguesve.

Por pavarësisht mekanizmit të radhës së socialistëve për ta penguar hetimin, opozita pritet t’i shtojë përpjekjet për të hedhur dritë mbi këtë çështje, e cila duket se është patatja e nxehtë e radhës në duart e kryeministrit, një çështje kjo të cilën ai s’do të ketë mundësinë as t’ua faturojë anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar apo zyrtarëve të korruptuar që ai ka nisur t’i etiketojë si “llum” brenda mazhorancës, që duhet pastruar, një mënyrë kjo për t’u distancuar nga aferat korruptive që po dalin në sipërfaqe gjithnjë e me shumë. /Zoom.al